Maqedoni

Ndotja e ajrit, Shkupi në mesin e qyteteve më të ndotura në botë

02.01.2025 15:23

Shkupjanët mëngjesin e sotëm u zgjuan në ajër ekstrem të ndotur, ndërsa kryeqyteti përsëri u gjend në listën e qyteteve më të ndotura në botë...

Shkupjanët mëngjesin e sotëm u zgjuan në ajër ekstrem të ndotur, ndërsa kryeqyteti përsëri u gjend në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Ajri është vlerësuar si “i pashëndetshëm” dhe “shumë i pashëndetshëm” në disa komuna dhe rekomandimet janë që të vendosen maska, qytetarët të mos dalin jashtë pa nevojë dhe të mos hapen dritare.
 
Të dhënat e platformës së matjes së cilësisë së ajrit IQ Air, tregojnë se Shkupi mëngjesin e sotëm është qyteti i dytë më i ndotur në Evropë, ndërsa në nivel global është në vendin e 10-të në listë me indeks të ndotjes 172. Kjo lehtë mund të konstatohet edhe nga pamjet e kamerës sonë. Sipas platformës, aktualisht ajri në kryeqytet shënohet në kategorinë “ajër jo i shëndetshëm”.
 
“Grimcat PM 2.5 me përqendrim 100.7 mikrogramë për metër kub renditen si ndotës kryesor, ndërsa grimcat PM 10 kanë një përqendrim prej 94.7 mikrogramë për metër kub. Përqendrimi i PM 2.5 në kryeqytet është aktualisht 20 herë më i lartë se vlera vjetore udhëzuese e cilësisë së ajrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.”, shënohet në platformën IQ Air. 
 
Pak ditë më parë në protestën e fundit kundër ndotjes së ajrit u alarmua sërish se shteti duhet të nisë përfundimisht masat dhe të mos vonojë zgjidhjen e këtij problemi akut. Deri më tani, iniciativat dhe organizatat e bashkuara mjedisore kanë kërkuar nga Qeveria ndalimin e plotë të importit të mbeturinave në Maqedoni përveç hekurit dhe çelikut, zvogëlimin e infrastrukturës së trafikut për vetura, ndalimin e importit të automjeteve të vjetra, blerjen e menjëhershme të autobusëve të rinj për NQP Shkup, ndryshime në ligjet e ndërtimit, për gjelbërimin urban dhe efiçiencën e energjisë. Përndryshe, sipas të dhënave të UNICEF-it, 11.6% e vdekjeve të të porsalindurve në vend lidhen me ndotjen e ajrit, që do të thotë se çdo i nëntë fëmijë i vdekur nën një vjeç vdes nga ndotja e ajrit. Ndërkohë raporti i Bankës Botërore i publikuar javë më parë tregoi se 2.800 persona mesatarisht në vjet ndërrojnë jetë si pasojë e ndotjes së ajrit. 
 
ERSAN PAJAZITI