Maqedoni
Unifikimi nacional, Mickoski: I gatshëm për bashkëpunim
02.01.2025 15:35
Kryeministri, Hristijan Mickoski, i gatshëm për unifikim mbarëkombëtar sa i përket çështjeve shtetërore...

Kryeministri, Hristijan Mickoski, i gatshëm për unifikim mbarëkombëtar sa i përket çështjeve shtetërore, respektivisht eurointegrimit pas thirrjeve të presidentes, por edhe kreut të LSDM-së, Venko Filipçe. Kryeministri pohon se nuk ka komunikim me Filipçen për këtë temë, por thotë se edhe vetë ai ka nxitur një iniciativë të ngjashme, krijimin e një strategjie afatgjate se kah duhet të ecë shteti.
“Është mirë të kemi debate të tilla, ku do të kemi unifikim nacional. Unë e përshëndes këtë dhe gjithmonë jam i gatshëm të bisedoj me gjithsecilin, i cili ka çfarëdo lloj ideje apo propozim që do të thotë pajtim nacional. Sa i takon çështjeve evropiane, absolutisht jam i përgatitur. Këtu s’ka asnjë dilemë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Kryeministri nuk përjashton mundësinë që të realizojë takime edhe me palën bullgare edhe pse fqinji lindor nuk planifikon të lëvizë nga pozicioni aktual.
“Ndryshimi i Kushtetutës që kërkohet nga ne, është pengesë vetëm për nisjen e bisedimeve. Kjo nuk është pengesë për fundin. Andaj, ne po përpiqemi të riprojektojmë fillimin, i cili duhet të paraqesë edhe fundin.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Arratisja e Grubit, Mickoski: Ahmeti ta denoncojë në Prokurori
Mickoski siguron se Qeveria është stabile dhe nuk mendon të bëjë ndonjë ndryshim kadrovik me të hyrë në vitin 2025. Në intervistën për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve, kryeministri ka komentuar edhe aktivitetet e organeve të hetuesisë. Sa i takon arratisjes së Grubit dhe pretendimeve se kreu i BDI-së ka njohuri për vendndodhjen e ish-zëvendëskryeministrit.
“Artan Grubi është i arratisur nga drejtësia. Nëse Ali Ahmeti ka informacione, atëherë Prokuroria do të duhet ta ftojë në bisedë informative dhe të dëgjojnë nga ai se ku gjendet Artan Grubi.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Kryeministri më 18 janar do të largohet drejt ShBA-së, me ç’rast pritet të realizojë takime të shumta. Në tryezat e bisedimeve, Mickoski do të hapë dhe përmbyll shumë tema të rëndësishme për perspektivën e vendit.
MERAL ISMAILI
