Maqedoni

Kambovski në krye të Këshillit Gjyqësor, Kambovski: Do të punojmë me integritet

03.01.2025 13:45

Këshilli Gjyqësor zgjodhi gjykatësin Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor të RMV-së...

Këshilli Gjyqësor zgjodhi gjykatësin Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor të RMV-së, pasi kryetarja e mëparshme, Vesna Dameva, dha dorëheqjen më 2 dhjetor të vitit 2024. Kambovski, i cili do ta udhëheqë Këshillin Gjyqësor në dy vitet e ardhshme, tha se do të punojë me shumë përkushtim, ndërsa gjithashtu tha se në sistemin gjyqësor nuk do të ketë vend për gjykatësit që do të punojë në kundërshtim me ligjin. Institucioni i Këshillit Gjyqësor do të drejtohet me integritet, paanshmëri dhe me çdo përpjekje për të mbrojtur pavarësinë gjyqësore të të gjithë gjyqtarëve në vendin tonë. Kjo është shtëpia e gjykatësve, tha kryetari i sapozgjedhur, Kambovski.
 
“Secili gjykatës që punon në kundërshtim me ligjet, por sipas interesave personale apo nën ndikim apo ka dashur të përfitojë ndonjë përfitim material apo jomaterial, të jeni të sigurt se vendin nuk do ta kenë më në sistemin gjyqësor. Ne duhet të kemi bashkëpunim edhe me pushtetin legjislativ edhe me atë ekzekutiv. Ne jemi pjesë e sistemit  të sundimit të ligjit në këtë shtet, një nga tre pushtetet dhe ne duhet mes vete të ndihmohemi dhe kontrollohemi, ky është edhe kuptimi se pse Kushtetuta është shkruar në këtë mënyrë.”, - deklaroi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski. 
 
Lidhur me paralajmërimet për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur në Kuvend, Kambovski tha se në parim Këshilli nuk dëshiron të komentojë deklaratat e politikanëve, por tha se janë thellësisht të bindur se Kuvendi si ligjvënës do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. I pyetur nëse do të ketë përgjegjësi për gjyqtarin, Enver Bexheti, i cili u fut në listën e zezë të ShBA-së, Kambovski përsëri shprehu bindjen se çdo gjyqtar që nuk punon sipas ligjeve, por sipas disa interesave të tij personale, nuk e ka vendin në sistemin gjyqësor.
 
“Është koha për t'i dhënë fund, sepse në Maqedoni janë 400 gjyqtarë dhe është koha që 15, 20 të largohen nga radhët tona, Nuk po flas konkretisht për gjyqtarin Bexheti, sepse duhet të ketë procedurë.”, - theksoi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski. 
 
Zgjedhja e Kambovskit në krye të Këshillit Gjyqësor u mbështet njëzëri nga 13 anëtarët e Këshillit me të drejtë vote.
 
“Aleksandar Kambovski ka kredibilitet dhe integritet që sa më shpejt gjykatësit të mund që në mënyrë të pavarur dhe të paanshme të veprojnë gjatë punës së tyre.”, - deklaroi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Isamedin Limani.
 
“Atë e thatë të gjithë kolegët se jeni për që të implementohen të gjitha rekomandimet, të ketë reforma në Këshillin Gjyqësor, të ruajmë pavarësinë tonë dhe besoj se së bashku do të arrijmë sukses.”, - u shpreh anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.
 
“Do ta ftoja pushtetin ekzekutiv të ulemi dhe të bisedojmë, të shohim se cilat janë nevojat dhe problemet e gjyqësorit. Duhet së bashku të gjithë të japin kontribut për një jetë më cilësore për një administrim më të mirë të drejtësisë.”, - theksoi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Ivica Nikollovski.
 
Gjyqtari Aleksandar Kambovski është zgjedhur anëtar i Këshillit Gjyqësor në qershor të vitit të kaluar. Zgjedhja e kryetarit të ri vjen pikërisht një muaj pasi ish-kryetarja Dameva dha dorëheqje të parevokueshme nga posti. Në shpjegimin e dorëheqjes së saj, Dameva ka thënë se në periudhën e fundit janë bërë tentativa nga politikanë të caktuar për të cenuar integritetin e saj personal. 
 
FLORIJE KAMBERI