Cetinje, Mali i Zi nderon 12 viktimat e masakrës

03.01.2025 15:25

Me një minutë heshtje, qirinj dhe mesazhe në librat e zisë...

Me një minutë heshtje, qirinj dhe mesazhe në librat e zisë, qytetarët e Malit të Zi bënë nderime për 12 viktimat e masakrës në Cetinje.

Mes bashkëqytetarëve nuk munguan as vajtuesit që humbën të dashurit e tyre në të shtënat e ngjashme dy vite më parë në të njëjtin qytet. E drejtuan gishtin nga Qeveria për të bërë diçka.

“Do të duhet, unë do të shkoj tek ata, për hir të të gjithë fëmijëve. Kur u larguan Marko dhe Mashani im, unë luftova që fëmijët e tjerë të jetonin, por ata nuk më dëgjuan, tani do të më dëgjojnë mirë. Vrasësi nuk i ka rregulluar të gjitha viktimat në një vend në mënyrë që t'i vrasë të gjithë menjëherë. Shkoi shtëpi më shtëpi. Ku ishte policia? Ata janë thjesht frikacakë!”, - u shpreh nëna e një vajze dhe nipërve të vrarë në Cetinje në vitin 2022, Vesna Pejoviq.

“Kjo me të vërtetë dhemb, është një tragjedi për të gjithë qytetin, një tragjedi e tmerrshme. Shoqëria jonë duhet të punojë më shumë që të mos përsëriten gjëra të tilla.”, - tha banori i Cetinjës, Boris Bastac.

Mesazhe të ngjashme kanë ardhur edhe nga qytetarët e Podgoricës. Vigjiljes masive në shesh iu bashkuan edhe presidenti Milatoviq dhe bashkëshortja e tij.

“Ndihem keq. Nuk mund ta besoj se kemi dështuar kaq keq si shoqëri. Edhe ne kemi dështuar si njerëz. Ku ishin këta shokë, kumbarë të vrasësit për ta ndihmuar kur e dinin se nuk ndihej mirë? Tani të gjithë e dinë se ai nuk ishte mirë.”, - u shpreh pensionistja nga Podgorica, Mira Shkoriq.

Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi thotë se kanë reaguar me shpejtësi dhe janë kryer të gjitha aktivitetet operative, por masakra e përgjakshme është kryer në vetëm 30 minuta.

Ata gjithashtu shtojnë se në vitin 2005, Martinoviqi ishte në provë për sjellje të dhunshme dhe më pas në vitin 2022 fillimisht u dënua me burg për armëmbajtje pa leje dhe lëndë plasëse, për të cilën procedura e apelit është ende në Gjykatën e Lartë.

“Është e rëndësishme që të theksohet se policia në atë situatë ka njohur sjelljen devijuese të këtij personi dhe ka iniciuar kërkesë në Qendrën Shëndetësore për ekzaminim psikiatrik. Mjekët më pas i kanë përshkruar terapi, por nuk e kanë referuar në trajtim.”, - theksoi ushtruesi i detyrës - drejtor i Administratës Policore të Malit të Zi, Lazar Shcepanoviq.

Të gjitha modifikimet dhe madje edhe ndalimi i plotë i armëve mbeten në fokus të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Vendi organizon të dielën tubimin e parë të qytetarëve për të nderuar viktimat me 12 minuta heshtje. (Fitore Demolli, TVM2)