Maqedoni

Arsimi në vitin 2025, Janevska: Angazhohemi për ngritjen e cilësisë

03.01.2025 15:36

Ministrja e Arsimit shpalos planet që synon t’i arrijë dikasteri i saj në vitin 2025....

Ministrja e Arsimit shpalos planet që synon t’i arrijë dikasteri i saj në vitin 2025. Angazhimi do të sillet në përmirësimin e standardit dhe cilësisë arsimore, ndërkaq sqaron edhe parashikimet që bart ndryshimi i Ligjit për Arsim. Foli edhe për ndryshimet në programet arsimore në universitetet. Sipas saj, në këto momente komunat bëjnë analiza të tregut të punës, si në arsimin e mesëm, ashtu edhe në atë të lartë.
 
“Prioritetet në raport me arsimin e lartë do të jetë ndryshimi i ligjit, i cili do të mundësojë përmirësimin e cilësisë në arsim.  Një numër i madh i programeve studimore do të duhet të revidohen, disa prej tyre të vihen në pushim, disa të tjera të shfuqizohen, por këtë e bëjmë së bashku me universitetet që kanë autonomi. Këtë vazhdimisht e them, në mënyrë që të mos mendojë dikush se Ministria do të hyjë të prishë ligj ose do të hyjë aty ku nuk ka ingerenca. Gjithsesi disa prej atyre programeve do të modernizohen sipas nevojave të studentëve, por edhe sipas tregut të punës.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
 
Janevska u shpreh edhe për ndryshimet në maturën shtetërore që organizohet për nxënësit që mbarojnë arsimin e mesëm. Sipas saj, pyetjet e maturës shtetërore do të jenë kompakt me atë që kanë mësuar.
 
“Në ligjin për arsim të mesëm, i cili për momentin është tërhequr, por që pres të gjendet sërish në procedurën parlamentare, është paraparë model i ri i maturës, në të cilin shkollat e mesme profesionale do të japin maturë shtetërore të mesme profesionale, në harmoni me lëndët adekuate të përgjithshme arsimore që i dëgjojnë sipas planprogramit arsimor, që është më i vogël nga ajo e gjimnazistëve. Ata të gjimnazit do të japin provim të maturës së gjimnazit dhe në këtë mënyrë edhe njëra palë edhe tjetra nëse duan mund të regjistrohen jashtë vendit.”, - theksoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
 
Ministrja Janevska mes tjerash siguroi se nuk do të ketë mungesë të librave vitin e ardhshëm. Foli edhe për përpjekjet e mësimit tërëditor nëpër shkolla dhe rrjetin shkollor. Këto komente Janevska i bëri në takim me përfaqësuesit e organizatave të studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU