Shpërthim pranë selisë së BDI-së, vetëm dëm material, MPB heton rastin
Nga shpërthimi i mbrëmshëm pranë selisë së BDI-së në Reçicë të Vogël është shkaktuar vetëm dëm material, njoftojnë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, prej ku kanë filluar hetimet për zbulimin e autorëve të sulmit...

Nga SPB-Tetovë thonë se mjeti shpërthyes ka hapur vetëm një krater në rrugë, por nuk ka dëmtuar as objektin e selisë së BDI-së e as ndonjë objekt ngjitur. Për fat të mirë nuk ka pasur as të lënduar.
“Nga aktivizimi i mjetit shpërthyes është dëgjuar detonim i madh, nuk ka të lënduar dhe nuk është shkaktuar ndonjë dëm më i madh material i objektit apo i ndonjë objekti tjetër. Vetëm në asfalt, në rrugën para objektit është shkaktuar një krater me diametër prej 20 centimetra dhe thellësi prej dhjetë centimetrash, ku edhe janë gjetur më shumë gjurmë të cilat po hetohen. Prokurori publik dhe ekipi i SPB-Tetovë kryen hetim të kompletuar në vendin e shpërthimit, po dokumentohen mbetjet e gjetura dhe po merren masa për zbardhje të tërësishme të të gjitha rrethanave lidhur me mjetin shpërthyes dhe për gjetjen e kryerësve të këtij sulmi”- deklaroi zëdhënësi i SPB-Tetovë, Marjan Josifoski.
Nga BDI nuk e komentojnë rastin në fjalë. Zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani, për TVM2 thotë se BDI me komente do të dalë pas pranimit të raportit zyrtar të policisë, ku do të shihen motivet dhe qëllimi i shpërthimit. (Visar Sadiki, TVM2)
