Vazhdojnë bombardimet në Gazë, 63 të vdekur dhe qindra të plagosur
Raportohet se janë vrarë të paktën 63 persona...

Raportohet se janë vrarë të paktën 63 persona dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore izraelite në të gjithë Rripin e Gazës.
Ushtria izraelite bombardoi lagjen Kan Junis, Deir al-Balah, zonën Lababidi, në perëndim të qytetit dhe një "zonë humanitare" në al-Mavasi.
Familje të tëra u vranë në këto sulme, që ishin strehuar në zonat “e sigurta’ të shpallura nga Izraeli.
"Kjo është “zona e sigurt” për të cilën flet ushtria. Nuk ka vend të sigurt në Gazë. Ajo që okupimi pretendon është gënjeshtër e hapur. I vranë të dy djemtë e mi.", - theksoi babai i dy djemve që u vranë, Valid Al-Bardavil.
"Sapo ishim ulur jashtë, kur papritur na goditi një raketë. Siç mund ta shihni, të gjithë vdiqën. Raketa shpërtheu dhe i vrau të gjithë. Ne jemi civilë, shitës që përpiqemi të mbijetojmë. Të rinjtë që shpresonin për të ardhmen e tyre tani janë dëshmorë.”, - tha një dëshmitar.
"Ne ishim ulur në verandën e dyqanit kur papritur gjithçka u copëtua në vetëm pak sekonda. E gjeta të shtrirë në tokë, e mbajta dhe e solla këtu - fillimisht me një gomar dhe më pas në makinë. Ata njerëz janë gjithashtu nga i njëjti kampim.”, - tha një dëshmitar tjetër.
"Në natën rreth orës dhjetë, shtëpia e vëllait tim. Ata ishin të gjithë në gjumë. Vëllai im Ahmedi, djali i tij Hasani, gruaja dhe dy fëmijët e tyre ranë dëshmor edhe gjyshja ime është martirizuar.”, - u shpreh vëllai i viktimave.
"Shkatërrimi është përtej imagjinatës. Kjo është gjendja e popullit palestinez.”, - theksoi fqinji i një shtëpie të shënjestruar nga IDF.
Zëdhënësi ushtarak i grupit Huthi, Jahja Sare, gjatë fushatës "Milion Man" në mbështetje të Gazës dhe Palestinës, tha se lëvizja ka kryer disa sulme me raketa balistike dhe me dron në rajonin Jafa në Izrael.
“Forcat e Armatosura të Jemenit rinovojnë thirrjen e tyre për të gjithë njerëzit e lirë në kombet tona arabe dhe islamike që të ndërmarrin veprime serioze për të ndaluar masakrat izraelite kundër vëllezërve tanë në Gazë dhe të konfirmojnë se operacionet e tyre ushtarake në mbështetje dhe ndihmë për luftëtarët në Gazë do të vazhdojnë. Kjo nuk do të ndalet derisa të përfundojë agresioni kundër Gazës dhe të hiqet rrethimi.", - deklaroi zëdhënësi ushtarak Huthi, Jahja Sare.
Për shkak të luftës në Gazë, situata në të gjithë Lindjen e Mesme është e tensionuar. Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për armëpushim, Izraeli vazhdon sulmet. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
