Maqedoni
Incidenti me 400 turistët, Agjencisë “Jupiter” mund t’i merret licenca
04.05.2015 15:24
Ministria e Ekonomisë ka reaguar sot, një ditë pasi 400 shtetas të Maqedonisë përjetuan një shok të vërtetë, mbetën të bllokuar në Stamboll të Turqisë...

Ministria e Ekonomisë ka reaguar sot, një ditë pasi 400 shtetas të Maqedonisë përjetuan një shok të vërtetë, mbetën të bllokuar në Stamboll të Turqisë, kur Agjencia Turistike “Jupiter” nga Shkupi, së cilës i kishin paguar të hollat për udhëtimin, i la ata në rrugë. Ekipet e Inspektoratit Shtetëror të Tregut kanë shkuar në zyrat e agjëncisë për kontroll, por zyrat kanë qenë të mbyllura.
Në hyrjen e tyre, vetë agjencioni ka vendosur një informacion në të cilin thuhet se “Jupiter” nuk do të punojë deri të mërkurën, por të gjithë qytetarët të cilët kanë udhëtuar nën organizimin e tyre në Stamboll, do të kompensohen.
Ministria e Ekonomisë njofton se pasi të realizohet kontrolli, që do të ndërmerret nga Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe pas analizës së dokumentacionit, bazuar në konstatimet e Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe në përputhje me Ligjin për Turizmin, do të fillojë procedurë për marrjen e licencës të Agjencisë së Udhëtimit “Jupiter” në rast se konfirmohen parregullsi gjatë kryerjes së aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë informon qytetarët e dëmtuar se të njëjtët do të dëmshpërblehen nga ana e agjencionit turistike, ndërsa në rast të mospërmbushjes së këtij obligimi ligjor të agjencisë, Ministria e Ekonomisë do të ngre padi penale ndaj këtij subjekti.
