Maqedoni
Lëshohet rruga e shpejtë Stracin - Kriva Pallankë, Nupnau: Korridori 8 është urë mes lindjes dhe perendimit
04.01.2025 15:50
U lëshua në përdorim rruga e shpejt Stracin- Kriva Pallankë...
U lëshua në përdorim rruga e shpejt Stracin- Kriva Pallankë pjesë e Korridorit 8 me gjatësi prej 25. 5 kilometra. Në përuririmin e kësaj rruge morën pjesë përfaqësues të shumtë të egzekutivit dhe të BE në Shkup. Kjo rrugë tani do të lehtësojë dukshëm udhëtimin deri në Sofje dhe do të mundësojë siguri më të madhe në komunikacion.
“Korridori 8 është urë strategjike mes lindjes dhe perendimit i cili lidhë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Në mënyrë politike, ky korridor e thellon edhe më shumë bashkëpunimin rajonal dhe përkushtimin e përbashkët në integrimin evropian, ndërsa në aspekt ekonomik, ky korridor premton investime të shumta, tregëti më të madhe dhe qasje më të mirë deri tek tregjet evropiane”, u shpreh zv/shef i delegacionit të BE-së, Ben Nupnau
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve dhe nјëherit zëvendëskryeministër Aleksandar Nikollovski vlerësoi se rruga e shpejtë përveç se do të mundësojë lidhje më të shpejtë me Bullgarinë, e njëjta do të mundësojë zhvillim më të madh ekonomik të pjesës lindore të vendit.
“Ky projekt kapital do të mbetet me dekada pas nesh dhe njëherit do të përshpejtojë qarkullimin mes kryqytetit dhe pjesës lindore të Maqedonisë dhe do të paraqet arterie vitale për tu lidh me Bullgarinë dhe sigurisht se po pres që në këtë drejtim të përshpejtohet ekonomia nga ana e majtë dhe të djathtë e rrugës së shpejtë, të zhvillohen kapacitete të reja industriale, të hapen fabrika dhe vende të reja të punës dhe plotësisht të ringjalet pjesa lindore të Maqedonisë”, theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve Aleksandar Nikollovski.
Lëshohet rruga e shpejtë Stracin - Kriva Pallankë, Mickoski: Do të punojmë me të njejtën dinamikë
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron se së shpejti do të lëshohen në përdorim edhe disa akse tjera rrugore pjesë e Korridorit 10 D. Investimet në infrastruktur nuk do të ndalen sot, do të vazhdojnë punimet edhe përgjatë Korridorit 8, tha Mickoski.
“Edhe në të ardhmen ne do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtën dinamik edhe në disa akse tjera rrugore. Shumë shpejtë do të marrim pjesë në lëshimin e përdorimit edhe të një aksi të ri rrugor i cili është pjesë e Korridorit 10 D, pastaj edhe të një pjesë e linjës hekurudhore. Poashtu po intensifikohen punimet ndërtimore të akseve tjera rrugore përgjatë Korridorit 8 dhe 10, respektivisht prej Gostivarit deri në Bukojçan, Kërçovë deri në Ohër dhe prej Prilepit në Manastir. Diçka që 7 vite më herët ishte shumë çka në pushim, diçka që 7 vite me rradhë kishte një përfundim të pasigurt, tani çdo gjë merr një dinamik ndryshe në terren”, ushpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
Boçvarski: Projekt i LSDM-së dhe krenohemi
Por kështu nuk mendojnë përfaqësuesit e LSDM –së opozitare. Ish -ministri i transportit dhe lidhjeve Bllagoj Boçvarski tha se rruga e shpejtë Stracin- Kriva Pallankë është merritë e atyre, ku sipas tij, ata kishin përfunduar mbi 90 % të punimeve përgjatë kësaj rruge. U ankuan se VMRO-DPMNE e atëherëshme si opozitë kishte bllokuar përfundimin e kësaj rruge.
“Po të mos ishin bllokadat e deputetëve të VMRO-DPMNE-së, kjo rrugë mund të kishte përfunduar shumë më herët gjatë vitit 2024. Fatëkeqësisht, dhe vetëm për qëllime të tyre politike, deputetët e opozitës së atëhershme DPMNE e bllokuan këtë projekt si opozitë. Në atë kohë, Komisioni për Financim dhe Buxhet i VMRO-DPMNE-së e bllokoi me muaj të tërë propozimin e ligjit për grantin prej 14 milionë eurosh, i cili ishte i nevojshëm për përfundimin e kësaj rruge”, theksoi Bllagoj Boçvarski nga LSDM.
Rruga e shpejtët Stracin Kriva Pallankë kushton 170 milion euro, prej të cilave 94 milion euro janë siguruar nga Banka Botërore, 14 milion nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perendimor dhe pjesa tjetër nga buxheti i shtetit.
REXHEP QAMILI
