Botë

Kerry, bisedime për sigurinë në Nairobi; Al Shabaab kërcënon Kenian

04.05.2015 16:14

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe Presidenti i Kenias Uhuru Kenyatta, kanë diskutuar këtë të hënë mënyrat për t'u përballur me kërcënimet...

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe Presidenti i Kenias Uhuru Kenyatta, kanë diskutuar këtë të hënë mënyrat për t'u përballur me kërcënimet e grupit militant të Al Shabaab, i cili vrau 148 studentë muajin e kaluar në një Universitet të Kenias. 
 
Kerry ka përkujtuar gjithashtu gjatë vizitës në Nairobi, edhe bombën në ambasadën amerikane në vitin 1998, ku më shumë se 200 persona u vranë. Kenia ka kërkuar ndihmë nga Amerika në shërbimin e sigurisë dhe inteligjencës, për të parandaluar sulme të tjera nga radikalët somalezë.
 
Shtetet e Bashkuara, bashkë me vendet perëndimore, gjithashtu kanë parashikuar trajnime dhe mbështetje të tjera për forcat e sigurisë.
 
“Ne kemi fuqinë t'i zmbrapsim, jo vetëm me përpjekjet tona ushtarake dhe ligjore, por edhe me diçka që mund të jetë më e fuqishme dhe që bën diferencën në fund, dhe ky është uniteti ynë. I vetmi vend për Al Qaeda, Al Shabaab, Boko Haram dhe të tjerë është në të shkuarën”, tha Kerry. Zëdhënësi i Presidentit Kenyatta tha në Twitter se janë diskutuar çështjet e sigurisë, investimet dhe tregtia.
 
Gjithashtu është diskutuar edhe vizita e Presidentit Barack Obama gjatë këtij viti.