Maqedoni
Investimet e huaja, Xhemaili: Do të krijojmë mijëra vende të reja pune
05.01.2025 14:03
Viti 2025 do të shoqërohet me rritjen e numrit të investimeve të huaja në vend...

Viti 2025 do të shoqërohet me rritjen e numrit të investimeve të huaja në vend, ku pritet të hapen më së paku 10 mijë vende të reja të punës. Kështu informon drejtori i Agjencisë për Investime të Huaja, Refik Xhemaili, sipas të cilit, investimet do të kapin vlerë të madhe të mjeteve, disa prej tyre deri në 500 milionë euro.
“Për vitin 2025, padyshim se synim kemi që këta numra më së paku të dyfishohen. Kur investitorët investojnë në vendin tonë, kjo nuk do të thotë që ata krijojnë vetëm vende të reja pune, por ata prezantojnë edhe teknologji dhe inovacione të reja që rrisin produktivitetin e punëtorëve. Në ligjin për mbështetje financiare është një masë si lloj granti, ku ajo parashihet për kompanitë të cilat kanë pagën minimum mbi 50% të pagës minimale dhe normalisht kjo i shtyn ata që të krijojnë paga më të larta. Investimet nuk ndikojnë vetëm në rritjen e drejtpërdrejtë ekonomike, por ata ndikojnë edhe në standardin dhe cilësinë jetësore të qytetarëve”, u shpreh drejtori i Agjencisë për Investime të Huaja, Refik Xhemaili.
Shpërndarja e investimeve, Xhemaili: Nuk do të mungojnë as në zonat shqiptare
Sipas Xhemailit, investimet do të jenë të shpërndara në të gjitha zonat e lira ekonomike në vend, pa anashkaluar ato afër vendbanimeve shqiptare. Megjithatë, se ku do të derdhen paratë përcaktohet investitori.
“Mbetemi të përkushtuar për të ofruar mundësi të barabartë për të gjithë qytetarët tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Nuk diskutohet se ne jemi të angazhuar që të nxisim që të kemi edhe investime të huaja edhe në rajonet ku graviton populli shqiptar, por në parim kjo nuk varet vetëm nga ne. Shpeshherë investitorët janë ata të cilët e përcaktojnë ndonjë pozicion që mendojnë se është vend strategjik për veprimtarinë e tyre...Nuk dua të shpalos që tani, por nuk diskutohet që gjatë këtij viti do të kemi investime në rajonet tona, edhe atë shumë të mëdha”, theksoi Xhemaili.
Investimet kryesisht pritet të kapin sektorin e teknologjisë, energjisë së gjelbër, sektorin për punimin e ushqimit dhe fushave të tjera me interes për qytetarët. Sa i përket masave lehtësuese, Xhemaili tha se investitorët kanë akses në një gamë të gjerë të masave lehtësuese, duke filluar nga politikat fiskale.
Njëherit, bëri të ditur se Agjencia për Investime të Huaja është implementues i ligjit për mbështetje financiare, që parasheh kthimin e investimit.
FLORIJE BELULI KAMBERI
