Maqedoni

Oda e zejtarëve, vijojnë thirrjet për të punuar të dielave

05.01.2025 14:47

Oda e Zejtarëve të RMV-së, vazhdon të kërkojë me ngulmë që veprimtarive...

Oda e Zejtarëve të RMV-së, vazhdon të kërkojë me ngulmë që veprimtarive të ndryshme të zejtarisë, për shkak të natyrës së punës, t’u mundësohet të punojnë edhe të dielave. Kryetari i Odës së Zejtarëve të RMV-së, Agron Fazliji, thotë se bizneset mezi kanë pritur ardhjen e mërgimtarëve gjatë festave të fund vitit, që çdo vit ka qenë një infuzion i mirë për ta, por, për shkak të mosfunksionimit të veprimtarive gjatë të dielës, përgatitjet për dasma apo festime tjera qytetarët e këtushëm por edhe mërgimtarët po i bëjnë në shtetet fqinje.
 
“Nuk mundet që një aheng familjarë, dasëm të anulohet të dielën, nuk mundet që klientët tanë të shkojnë nëpër vendet e huaja apo fqinje që i kemi si Kosovën apo edhe Serbinë me qëllim të marrin shërbimet adekuate për eventet familjare”, u shpreh kryetari i “OZ” të RMV, Agron Fazliji.
 
Mirëpo, Fazliji thotë se falë bashkëpunimit dhe mirëkuptimit me ministrinë e ekonomisë, me të cilët po zhvillohen bisedime, shpresojnë se këtë vit, do të arrihet marrëveshje që Zejtarive të caktuara t’u lejohet që të punojnë edhe të dielave.
 
“Kemi biseduar me ministrin, Besar Durmishi, dhe ka hapsirë dhe vullnet nga qeveria që të ndërmirren hapa konkrete që të vihen amandamente shtesë në këtë ligj dhe t’u mundësohet disa Zejtarive të caktruara të punojnë të dielave, janë të targetuara se cilat Zejtari mund të punojnë pasiqë të gjitha nuk mundet të punojnë të dielave, por do të mundësohet qe edhe ata që kanë dëshirë të punojnë do të munden, me cka nuk i obligon ligji të punojnë”, theksoi Fazliji.
 
Me arritjen e këtij qëllimi nga ana e Odës së Zejtarëve të vendit tonë, mëtohet që sadopak bizneset e ndryshme ta shrytëzojnë ditën e dielë, kur edhe gjatë periudhave të festave, rritet edhe intenzitetit i punës me çka edhe përfitimet nuk mungojnë.
 
FATLUM AQIFI