Maqedoni
Rruga e shpejtë Stracin-Pallank, përplas VMRO-DPMNE dhe LSDM
05.01.2025 15:09
VMRO-DPMNE dhe LSDM as sot nuk u kursyen për ta akuzuar njëra-tjetrën...
VMRO-DPMNE dhe LSDM as sot nuk u kursyen për ta akuzuar njëra-tjetrën se mertitë e kujt është ndërtimi i rrugës së shpejtë Stracin - Kriva Pallankë me gjatësi prej 25.5 kilometra.
Nga VMRO-DPMNE thonë se qeveria e kaluar e udhëhequr nga LSDM, vite me rradh nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim, dhe përveç kësaj me qëllim ka zvaritur punimet ndërtimore përgjatë kësaj rruge. Atë që LSDM nuk e bëri për 7 vjet, e bëri VMRO-DPMNE për 6 muaj, thonë nga VMRO-DPMNE-ja
“Më 1 korrik nuk u shtrua asnjë metër asfalt në rrugën Kriva Pallankë-Stratcin, LSD me vite po qëndronte në vend, pushteti i VMRO-DPMNE-së e bëri për 6 muaj. Faktet janë gjëra kokëfortë dhe sado që LSD dëshiron t'i shtrembërojë, nuk mundet. Video materiali që po e dërgojmë krahas këtij njoftimi dëshmon qartë se më 1 korrik rruga e shpejtë Kriva Pallankë-Stracin ishte çdo gjë tjetër përveç e finalizuar. LSD me vite nuk mundi ta ndërtonte rrugën, ashtu siç nuk e ndërtoi as autostradën Gradsko-Farish dhe as autostradën Kërçovë-Ohër”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Në ndërkohë LSDM thonë se VMRO-DPMNE gënjen dhe nuk e tregon të vërtetën. Thonë se rruga e shpejtë Stracin- Kriva Pallank është merritë e atyre, pasi që siç thonë, ata kishin përfunduar mbi 90 % të punimeve përgjatë kësaj rruge. Përseri u ankuan se VMRO-DPMNE në atë kohë si opozitë, kishte bllokuar përfundimin e kësaj rruge.
“DPMNE gënjen për rrugën e shpejtë Stracin - Kriva Pallankë sepse LSDM-ja e ka kryer mbi 90%, ata e kanë bllokuar si opozitë. Asfalti i parë në rrugën e shpejtë Stracin – Kriva Pallankë është hedhur në vitin 2023.Nga një inspektim i procesit ë asfaltimit, ka pamje dhe një njoftim në faqjen zyrtare në Facebook të NP për Rrugët Shtetërore më 23 nëntor 2023.Të lavdrohesh me punën e të tjerëve është një gjë, por gënjeshtarja patologjike DPMNE flet për ta dhe tregon se sa të paaftë janë, ndaj duhet të sajojnë se kanë bërë diçka.Për rrugën e shpejtë Stracin - Kriva Pallankë, DPMNE ka prerë vetëm shiritin dhe ka bërë disa qindra metra asfalt dhe asgjë tjetër”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Rruga e shpejt Stracin- Kriva Pallankë e cila është pjesë e Korridorit 8 u lëshua në përdorim një ditë më herët. Vlera e këtij investimi është 170 milion euro, prej të cilave 94 milion euro janë siguruar nga Banka Botërore, 14 milion nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perendimor dhe pjesa tjetër nga buxheti i shtetit.
REXHEP QAMILI
