Maqedoni
Popovski: kriza politike sjell dëme të mëdha për vendin
04.05.2015 17:00
Kriza politike do të sjellë dëme të mëdha për vendin, vlerëson shefi i Diplomacisë, Nikolla Popovski...

Vlerësimet për sjelljen e të gjithë faktorëve lidhur me dialogun politik do të jenë kruciale edhe për atë se çfarë mund të presim nga Komisioni Evropian deri në fund të vitit dhe se çfarë rekomandimi do të marrë Maqedonia, theksoi Popovski.
"Për ne me rëndësi është që të jemi të vetëdijshëm se mungesa e një dialogu konstruktiv është diçka që do të sjellë dëme serioze për Maqedoninë dhe do të jetë shumë e vështirë që të kompensohet në periudhën e ardhshme. Mesazhi kryesor është që duhet të gjithë të sillen me përgjegjësi dhe se institucionet janë ato që duhet të japin përgjigje edhe në kuadër të së cilave duhet të ndodhë dialogu politik"- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski.
I pyetur të komentojë deklaratën e euroambasadorit, Avio Orav, i cili tha se është e nevojshme që në tre muajt e ardhshëm Maqedonia ta përmirësojë përshtypjen në të kundërtën do të jetë e vështirë që të marrë rekomandim të ri, Poposki konfirmon se ky informacion është ndarë edhe gjatë bisedave që janë bërë në Bruksel, ndërsa ka të bëjë më tepër me çështjet të cilat mund të zgjidhen në vend dhe të cilat janë të pavarura nga bllokimi që na është imponuan në Këshillin e BE-së nga ana e të paktën një vendi anëtar i Unionit.
Sa i përket raundit të tretë të bisedimeve midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Poposki tha se nuk mund të flasë për data, pasi që në këtë fazë është e rëndësishme të gjitha palët të tregojnë dëshirë të caktuar apo motivim për lëvizje në këtë proces.
Këto vlerësime Popovski i bëri në takimin me ambasadorin, Mark Ote, i cili është edhe drejtor i Institutit Mbretëror për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Mbretërisë së Belgjikës. Ambasadori Ote me këtë rast para përfaqësuesve të korit diplomatik ka mbajtur fjalim mbi diplomacinë e partneriteteve, përkatësisht vlerat e lidhjeve dhe partneriteteve strategjike të forcave të mëdha.
GYLTENE SINANI
