Maqedoni

Ajri i ndotur, ambientalistët: Industria, ndotësi më i madh, amvisëria më pak

05.01.2025 15:53

Shkupi, Tetova, Strumica, Kavadari dhe shumë qytete në vend vazhdojnë të përballen...

Shkupi, Tetova, Strumica, Kavadari dhe shumë qytete në vend vazhdojnë të përballen me ndotjen e lartë të ajrit, zgjjidhja për të cilën nuk po arrihet ndër vite, e  autoritetet ia hedhin fajin amvisërive, duke kërkuar nga shteti që të ndërhyjë me ndryshimin e ekonomisë, rrjedhimisht ta ndërrojë mënyrën e ngrohjes gjatë dimrit.
 
Por, ambientalist kanë mendim tjetër për faktorët e ndotjes së ajrit. Sipas Arianit Xhaferit, njohës dhe analizues i kësaj problematike, realisht janë industritë e vjetra ndotësit më të mëdhenj të ajrit, të cilat duhet të modernizohen në mënyrë që të ulen emetimet e gazrave.
 
“Është shumë më e lehtë për politikën,  për autoritetet që fajin ta hedhin tek qytetarët, qoftë amvisëritë qoftë automjetet. Kjo nuk do të thotë që nuk janë pjesë e fajit, por  nuk janë faji kryesor. Faji kryesor është industria e vjetruar në vendin tonë dhe energjetika, prodhimi  i energjisë elektrike nga  qymyri. Autoritetet duhet ta dinë se "REK Bitolla"  në Manastir është ndotësi më i madh në Evropë. Ne në Tetovë kemi patur një betejë të madhe kundër një ndotësi gjigant  që ishte "Jugokromi "që llogaritej të jetë ndotësi më i madh në rajon. Që nga mbyllja e "Jugokromit", ajri në Tetovë është më pak i ndotur për 60% dhe, këto të dhëna janë nga Ministria e Mjedisit Jetësor”, u shpreh ambientalisti Arianit Xhaferi.
 
Zgjidhja e problemit me mjedisin, Xhaferi: Të investohet në uljen e emetimeve të gazrave
 
Xhferi është i mendimit se kjo problematikë ambientaliste mund të zgjidhet por kërkon investim, mjete nga  qeveria  e cila sipas tij,  kohëve të fundit nuk ndan për ambientin mjaftueshëm para buxhetore. Përshëndet planin e Ministrisë së Ambientit 2024-2030 që i referohet  masave për pastrimit e ajrit,  zbatimi i të cilave sipas Xhaferit do të ndikojë në sigurimin e ajrit të pastër.
 
“Për tu zbatuar ato duhen para dhe paratë janë përgjegjësi e shtetit... Qeveria e Maqedonisë së paku në tri vitet e fundit ka ndarë miniumin e mundshëm të buxhetit për mbrojtjen e mjedisit. Derisa shteti e lë mjedisin në prioritet të fundit, mos prisni  seriozitet nga ata se do të zgjidhin diçka konkrete.Nuk është punë që nuk bëhet, merr kohë por do para dhe paratë duhet të akordohen nga shteti, të alokohen siç duhet”, theksoi Xhaferi.
 
Sipas matjes së një platforme të specializuar për matjen e cilësisë së ajrit, ditë më parë Shkupi u rendit qytet i 11-të më i ndotur në botë, që e vendos kryeqendrën në kategorinë e mjediseve më të ndotura dhe të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU