Maqedoni
Shënohet edhe në Maqedoni Dita Botërore për Higjienën e Duarve
04.05.2015 17:10
Dita Globale për Pastërtinë e Duarve në Maqedoni u shënua me moton "Është e qartë"...

Duart e pastra shpëtojnë jetë", në organizim të Komisionit Multisektorial për Monitorimin e Rezistencës Anti-mikrobale pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, Institutit për Shëndet Publik dhe Qendrës për Hulumtime Rajonale dhe Bashkëpunim me "Studiorum".
Në këtë aktivitet u mbajtën ligjërata nga mjekët për rëndësinë e higjienës së duarve, prej të cilave barten bakterie të ndryshme. Kjo higjienë kërkohet të jetë akoma më e madhe tek mjekët të cilët i trajtojnë pacientët.
“Aktivitete të tilla organizojmë, me të cilat përmirësohet edukata e punëtorëve shëndetësor dhe qytetarëve në përgjithësi. Këtë vit, në bashkëpunim me Universitetin “Stendford” realizuam një kurs, i cili do te mbahet on-line dhe do të mund të inkuadrohen të gjithë të interesuarit, në veçanti ata me mantila të bardhë, me qëllim edukimin dhe përmirësimin e këtij problemi”- deklaroi dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Nikolla Jankulloski.
“Unë tani nuk flas si drejtoreshë, as si kryetare e Shoqatës së Pediatërve, por flas si mjeke, e cila merret vazhdimisht me këtë punë. Fillimisht dua të them se gjëja më e rëndësishme është që kolegët dhe personeli mjekësor, të cilët janë të involvuar në punën me pacientë, me ndonjë fëmijë, kërkohet higjienë dhe kujdes maksimal”- tha kryetarja e Shoqatës së Pediatërve në Maqedoni, Aspasia Sofjanova.
Një numër i madh i infeksioneve barten nga kontakti direkt dhe kontakti me ushqim të kontaminuar dhe me kafshët. Higjiena e duarve shpesh është moment kyç në parandalimin e këtyre sëmundjeve si në komunitet ashtu edhe në mjediset spitalore.
“Vlen një rregull në sektorin shëndetësor, sektorin spitalor, se një numër i madh i sëmundjeve barten kryesisht përmes duarve të papastra. Me nocionin higjienë të duarve, nënkuptojmë nivelin e tillë ku edhe vetë personi do ta mbronte veten nga sëmundjet e tilla, që transmetohen nga duart e papastra, qoftë nga ambienti spitalor, qoftë nga personi në person. Por, gjithashtu personat shëndetësor në atë mënyrë do t’i ndalonin, transmetonin sëmundjet tek pacientët tjerë”- theksoi dr. Dugagjin Osmani.
Shekuj me radhë, larja e duarve me ujë dhe sapun vlerësohej si masë e rëndësishme e higjienës personale.
Ajo zbatohej si pjesë e riteve fetare tek shumë religjione. Por, lidhshmëria ndërmjet përhapjes së sëmundjeve dhe higjienës së duarve është vënë pikërisht gjatë 200 viteve të fundit.
Hipokrati, mjeku më i njohur i antikës, la porosinë: “ Kurrnjëherë askujt mos i shkaktoni dëm! Edhe pse të gjithë mjekët sot japin betimin e Hipokratit, ata shpesh harrojnë se duke mos i pastruar duart i shkaktojnë dëm të madh pacientit”.
Kjo thënie vlen për shumë kohë më parë, atëherë kur shumica e mjekëve nuk kishin njohuri se shumë sëmundje barten nëpërmjet duarve.
Më 1847 obstetri hungarez, Injaz Semelvajs, rekomandoi dhe urdhëroi pastrimin e duarve me ujë klorik për parandalimin dhe reduktimin e incidencës së etheve të lehonisë në dy repartet e Maternitetit të Spitalit të Vjenës, në të cilin vdisnin një numër i madh i grave nga duart e papastra të mjekëve.
Sot kjo ditë shënohet në të gjithë botën me ligjërata dhe udhëzime për ndërgjegjësimin e popullatës.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
