VLEN: Kalojmë në veprim, 2025-ta me pensione më të larta
06.01.2025 11:52
Nga koalicioni VLEN...

Nga koalicioni VLEN kanë thënë se ata si pjesë e Qeverisë kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të mirëqenies së pensionistëve, duke vendosur për një rritje të ndjeshme të pensioneve prej 5.000 denarëve nga muaji mars.
“Kjo rritje, e mundësuar nga ndryshimet ligjore të shtatorit të vitit 2024, reflekton përkushtimin tonë për të garantuar një jetë më dinjitoze dhe të sigurt për pensionistët. Ky vendim pasqyron angazhimin tonë për t’u kujdesur për ata që kanë dhënë një kontribut të çmuar për shoqërinë dhe ekonominë tonë gjatë angazhimit të tyre aktiv që kanë shpenzuar potencialin e energjinë e tyre pa kursyer asgjë për të dhënë shumëçka. Ky hap vjen si rezultat i dëgjimit të vazhdueshëm të kërkesave të pensionistëve dhe përkushtimit të Qeverisë për të përmbushur nevojat e tyre. VLEN-i siguron qytetarët se do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të dëgjuar kërkesat e pensionistëve dhe për të ofruar zgjidhje konkrete që përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre. Njëkohësisht falënderojmë të gjithë qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm dhe ftojmë të gjitha palët e interesuara të japin sugjerimet e tyre për përmirësimin e mëtejshëm të politikave sociale. VLEN-i është e përkushtuar për qytetarin. VLEN-i është zotuar në përmbushjen e premtimeve pa asnjë kompromis!”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
