Maqedoni
Tortura në Maqedoni, për katër vjet vetëm dy të dënuar me burg
04.05.2015 17:22
Tortura në Maqedoni ose nuk ekziston ose është vepër e padënueshme...

Në katër vitet e fundit kemi vetëm gjashtë dënime, nga të cilët katër janë me kusht dhe vetëm dy dënime janë me gjashtë muaj burg.
Edhe pse nënshkruese e Konventës Kundër Torturës dhe Protokollit Opsional ndaj kësaj konvente, Maqedonia nuk ia del të parandalojë torturën, ndërsa qytetarët nuk ia dalin të mbrohen nga tortura.
Përmes shembujve në praktikë, Komiteti i Helsinkit konstaton se Prokuroria Publike dhe gjykatat nuk dallojnë ç’është tortura, ndërsa policia ushtron forcë tej mase, posaçërisht njësiti “Alfa”.
“Komitetit Kundër Torturës i thamë se në Maqedoni edhe kur hetohet tortura dhe dikush do të dënohet për torturë, dënimet janë me kusht ose shumë të ulëta. Kështu që për periudhën që raportohet, për katër vjet, kemi vetëm gjashtë dënime, nga të cilët katër janë me kusht dhe dy janë gjashtë muaj dënim me burg”- deklaroi Voisllav Stojanovski nga Komiteti i Helsinkit.
Ndërkaq, delegacioni shtetëror i përbërë nga përfaqësues të disa ministrive gjatë prezantimit të raportit katërvjeçar para Komitetit Kundër Torturës të OKB-së, në Gjenevë, prezantoi masat që merr vendi për parandalimin e torturës dhe mbrojtjen nga tortura.
“Disa nga dokumentet strategjike që kanë të bëjnë me këtë çështje janë: Strategjia nga viti 2014 për burgjet dhe institucionet korrigjuese dhe Strategjia për dënimet me kusht. Me rëndësi të posaçme është projekti për sistem të pavarur gjyqësor dhe promovimi i sanksioneve alternative dhe sistemi i dënimeve me kusht”- tha raportuesi nga delegacioni shtetëror, Ilija Ristovski.
Republika e Maqedonisë është nënshkruese e Konventës Kundër Torturës dhe Protokollit Opsional ndaj kësaj konvente, me të cilat vendi është obliguar se do të ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e torturës në harmoni me Konventën dhe Protokollin, jo vetëm në institucionet e mbyllura, por edhe gjatë procedimit policor dhe në të gjitha vendet ku individit i hiqet liria.
Ndër çështjet problematike, përveç mosnjohjes së trajtimit çnjerëzor nga ana e prokurorëve publik dhe gjykatave, është edhe hetimi joefikas dhe mosdënimi i veprave për torturë; trajtimi brutal dhe diskriminues i grupeve të margjinalizuara nga ana e policisë, kontroll i brendshëm joefikas në polici dhe kushte shqetësuese dhe jonjerëzore në institucione të mbyllura.
SHPËTIM NUREDINI
