Botë
Zgjedhjet në Kosovë, më 9 janar do të fillojë votimin diaspora
06.01.2025 14:51
Diaspora kosovare do të fillojë më 9 janar procesin e votimit për zgjedhjet parlamentare...

Diaspora kosovare do të fillojë më 9 janar procesin e votimit për zgjedhjet parlamentare, të cilat në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt. Votimi do të bëhet me postë ka sqaruar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
“Më 9 janar pritet të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës përmes postës, ndërkaq më 11 janar subjektet politike do ta fillojnë zyrtarisht fushatën zgjedhore.”, - deklaroi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Në KQZ është hedhur edhe shorti për renditjen e partive politike në fletëvotim, me ç’rast Vetëvendosja e kryeministrit Kurti do të ketë numrin 118, LDK-ja e Lumir Abdixhikut - 124, PDK-ja e Memli Krasniqit - 131 dhe me numrin 137 në fletëvotim do të jetë AAK-ja me partnerët e koalicionit. Ndërkohë zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar ndaj KQZ-së që i ndau numrin 112 në fletëvotim Listës Serbe.
“KQZ-ja shkel sërish ligjin! Lëvizja VETËVENDOSJE ka bërë ankesë ne PZAP kundër vendimit të KQZ-së lidhur me certifikimin e Listës serbe. Në bazë të nenit 130 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, akti administrativ pezullohet përderisa të vendoset ankesa në organin më lartë, në rastin konkret, në PZAP.”, ka shkruar Sallahu, sipas të cilit KQZ-ja ka shkelur ligjin, duke mos pritur vendimin përfundimtar të PZAP-it.
GYLTENE SINANI
