Maqedoni

Ndotja e ajrit, Shkupi renditet qyteti më i ndotur në Evropë, qytetarët ankohen se ndikon në shëndetin e tyre

06.01.2025 15:37

Edhe këtë mëngjes qytetarët e vendit tonë u zgjuan dhe do të kalojnë edhe një mbrëmje me ajër të ndotur...

Edhe këtë mëngjes qytetarët e vendit tonë u zgjuan dhe do të kalojnë edhe një mbrëmje me ajër të ndotur. Mjegulla dhe smogu assesi të pastrohen në vendin tonë, e sidomos në kryeqytet. Sipas të dhënave të fundit të platformës IQ Air, Shkupi u radhit si qytet më i ndotur në Evropë, ndërsa në suaza botërore u radhit si i pesti me radhë më i ndoturi. Sipas të dhënave të kësaj platforme, prania e grimcave PM 2.5 ishte 74.9 në metër kub, ndërsa e grimcave PM 10, 84.5 në metër kub. Më shumë ndotje kishte në lagjen Lisiçe, Gazi Babë dhe në disa lagje të tjera.
 
Qytetarët e anketuar nga TVM2 ankohen se ajri është aq i ndotur sa që në daljen e parë nga shtëpia menjëherë u zihet fryma. Thonë se ndotja u pengon jashtëzakonisht shumë, por dalin nga shtëpia vetëm për t’i kryer obligimet e tyre të përditshme, duke mbajtur maska mbrojtëse ose shalle.
 
“Kuptohet se më pengon ndotja e ajrit, e vërej ndryshimin mbi shëndetin tim sa herë që dal, mirëpo tani dola vetëm për t’i kryer obligimet e mia të domosdoshme dhe menjëherë kthehem në shtëpi.”, - tha një qytetar.
 
“Unë shumë pak dal, mirëpo atëherë kur dal vendos maskë mbrojtëse.”, - tha një qytetar tjetër. 
 
“Po më pengon shumë, sa herë që dal më shtrëngon diçka në gjoks. Zakonisht mbaj maska me vete, mirëpo sot e harrova.”, - theksoi një qytetar.
 
“Siç e shihni, kam vendosur maskë, ndërsa poshtë asaj edhe një pecetë shtesë për të më mbrojtur më shumë. Më pengon ajri i ndotur shumë, andaj dhe bëj kujdes maksimal.”, - theksoi një qytetar tjetër.
 
Mjegulla dhe ajri i ndotur do të jenë të pranishme edhe gjatë ditëve në vijim në të gjithë vendin tonë. Sinoptikanët për katër ditët e ardhshme, parashikojnë mot të ftohtë dhe të ndryshueshëm, me vranësira dhe mjegulla të shumta në veçanti nëpër fusha. 
 
“Mjegulla më së shumti do të jetë e pranishme gjatë katër ditëve të ardhshme, respektivisht deri të enjten gjatë orëve të vona të natës dhe të hershme të mëngjesit. Kjo mjegull do të jetë më së shumti e pranishme nëpër fusha, ku në këto vende temperaturat do të jenë më të ulëta.”, - u shpreh sinoptikania, Ivana Petroviq.
 
Aktivistët ekologjikë përshëndesin programin e ri planifikues të Qeverisë për të pasur ajër më të pastër 2024 - 2030. Kërkojnë që pakoja programore e Qeverisë të mos mbetet vetëm në letër, ndërsa nga Këshilli i Qytetit të Shkupit kërkojnë të parashikohen afate të sakta për të zëvendësuar ngrohjen e amvisërive me lëndë që shkaktojnë ndotje të ajrit. 
 
“Ne i kemi dërguar Këshillit të Qytetit të Shkupit disa kërkesa ku kërkojmë që të pranohet propozimi për të parandaluar dhe zëvendësuar ngrohjen në kryeqytet me lëndë që shkaktojnë ndotje gjatë dimrit deri në vitin 2026. Po ashtu gjatë muajit më të ndotur kërkojmë që në komunikacion të mund të qarkullojnë vetëm automjet ekologjike, ndërsa amvisëritë që ngrohen me dru t’u sigurohen filtra.”, - theksoi Nevena Gjorgjieva nga OJQ “O2”.
 
Pakoja programore e Qeverisë mes tjerësh përmban ulje të emetimeve të grimcave nga vatrat e brendshme, ulje të emetimeve të grimcave nga objektet publike, institut për cilësi të ajrit të ambientit, ulje të emetimeve të grimcave nga proceset industriale, djegie të materialeve të paligjshme dhe ulje të emetimeve nga transporti.
 
REXHEP QAMILI