Maqedoni
Shilegov: prokuroria punon nën diktat të Gruevskit, Mijallkovit dhe Ilievskit
04.05.2015 17:36
LSDM-ja përgënjeshtroi Prokurorinë Publike se gjoja ka përjashtuar nga procedimi i rastit “Puç” prokurorin, Jovan Ilievskin, baxhanakun e Sasho Mijallkovit...

Socialdemokratët janë të mendimit se Ilivski, si shef i Departamentit Kundër Krimit të Organizuar mund të ndikojë qoftë në mënyrë direkte apo indirekte ndaj prokurorit që procedon rastin “Puç”.
Sipas zëdhënësit të LSDM-së, Petre Shilogov, edhe një herë u dëshmua se prokuroria punon nën ndikim dhe kontroll të plotë të Gruevskit dhe Mijallkovit.
“Në pajtim me rregullimin kierarkik të prokurorisë, baxhanaku i Sasho Mijallkovit dhe ekzekutori i Nikolla Gruevskit, prokurori, Jovan Ilievski, direkt dhe indirekt ka mundësi të ndikojë në vendimet që kanë të bëjnë me rastin. Ilievski nuk mund të jetë i përjashtuar formalisht, pasi që nuk ka ndonjë bazë ligjore, sipas kodit penal, me të cilën ai mund të përjashtohet. Nga këtu mund të them se nuk ekziston asnjë vendim formal dhe joformal për përjashtim të prokurorit, Jovan Ilievskit, nga rasti në fjalë. Me këtë reagim dhe sjellje prokuroria konfirmoi se punon nën diktat të Nikolla Gruevskit, Sasho Mijallkovit dhe Jovan Ilievskit”- deklaroi Petre Shilegov nga LSDM.
Duke komentuar paralajmërimet e kryeministrit, Nikolla Gruevski, gjatë kongresit se do të bëjë reforma në ekipin qeveritar, Shilegov shprehet se deklaratat e tilla janë vetëm për përdorim të brendshëm, për forcim të pozitave të tija në VMRO-DPMNE dhe assesi nuk ka të bëjë me asgjë që ndërlidhet me krizën politike në vend.
Ndërsa Partia e re Socialdemokrate e Maqedonisë, përmes një kumtese me shkrim mendon se Gruevski po flijon partinë e tij për të shpëtuar vetveten. “Në momentet kur pushteti në Maqedoni përballet me rënien e legjitimitetit, PRSD shpreh shqetësimin përfundimtar të mënyrës se si Nikolla Gruevski është rizgjedhur për kryetar të VMRO-DPMNE-së.
“Lideri i partisë në pushtet të zgjidhet me asnjë votë kundër, në formë aklamative, pa debat dhe kundër kandidat, vetëm e reflekton mungesën e demokracisë brendapartiake në partinë në pushtet dhe stilin autoritar të udhëheqësisë së saj”- thuhet mes tjerash në kumtesën e PRSD-së.
I menjëhershëm është edhe reagimi VMRO-DPMNE-së ndaj press-konferencës së zëdhënësit të LSDM-së, Petre Shilegov, ku, sipas tyre, LSDM-ja punon kundër interesave të Republikës së Maqedonisë.
“Petre Shilegov po tenton që të manipulojë me rastin “Puç”, në të cilin ekzistojnë dëshmi evidente juridike dhe njohuri për përfshirjen e Zaevit në skenarin destruktiv, me të cilën po tentohet që të vijë në pushtet. Tërësisht është zbuluar plani i Zaevit, Verushevkit dhe bashkëpunëtorëve të tij, që ta fusin Maqedoninë në krizë dhe në atë mënyrë t`i realizojnë qëllimet e qendrave të huaja që nuk ia mendojnë të mirën Maqedonisë, dhe pastaj duan të vijnë në pushtet pa zgjedhje”- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
“Edhe ky episod destruktiv, si edhe të tjerat, nuk e mori mbështetjen e qytetarëve, pasi që i lexuan gënjeshtrat e tyre dhe tentimet e fshehura që janë në dëm të interesave të shtetit dhe qytetarëve”- thuhet gjithashtu në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
SANIJE KASAMI
