Berisha paraqitet në SPAK, drejton akuza ndaj kreut të Prokurorisë

06.01.2025 15:50

Ish-kryeministri Sali Berisha...

Ish-kryeministri Sali Berisha, i pandehur për korrupsion në privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”, u detyrua këtë të hënë të firmoste paraqitjen në SPAK.

Grupin e militantëve që i shkonin çdo ditë për 11 muaj në arrest shtëpie i zhvendosi nga ballkoni i tij në Prokurorinë e Posaçme, ku nuk kurseu sulmet ndaj drejtësisë.

“Sali Berisha ka sulmuar dhe do të faktojë që sot para jush se si Altin Dumani fle mbi dosje krimi. Altin Dumani është një kryekriminel elektoral, ka mbyllur të gjitha dosjet e krimit monstruoz elektoral.”, - deklaroi ish-kryeministri, Sali Berisha.

Ish-ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, e akuzoi se merrte urdhra nga organizata kriminale për të arrestuar rivalët e tyre.

“Tao është fiks Taulant Balla, është një kriminel që është vetëm njëri nga të shumtat të dhëna që ka në dosjen e vet. Përgjigja është se ne garantojmë votat në qoftë se i arreston ato në listën që të kemi dhënë për të arrestuar. Sipas këtij premtimi, u arrestuan Çapjat me kërkesë të Çelëve. Altin Dumani i ka këto prej kohësh, por vepron njëlloj si Lubi Balluku dhe Edi Rama, Rama jepte për një hyrje një leje ndërtimi, Lubia që është e pashembullt në Ballkan dhe Evropë, ndau 13 kilometra rrugë në 14 kontrata.”, - theksoi ish-kryeministri, Sali Berisha.

Masa e sigurisë për Berishën u rikthye më 3 janar dhe përcakton se do të duhet të paraqitet para oficeres së policisë gjyqësore çdo të hënë të parë e të tretë të çdo muaji. (Luljeta Ndoka, TVM2)