Maqedoni

MPB: Ende nuk janë vendosur kamerat për siguri në trafik

06.01.2025 15:52

Edhe pse përflitej se nga një janari kamerat e vendosura për siguri në komunikacion do të jenë në funksion...

Edhe pse përflitej se nga një janari kamerat e vendosura për siguri në komunikacion do të jenë në funksion, nga MPB-ja njoftojnë se vendosja e kamerave akoma nuk ka përfunduar dhe se ky proces pritet të përfundojë brenda vitit 2025.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se për të futur në përdorim kamerat e sigurisë, paraprakisht nevojiten ndryshime ligjore që ka të bëjë me ruajtjen e të dhënave personale. Ndryshimet ligjore do të jenë në drejtim të harmonizimit të legjislacionit tonë me legjislacionin evropian.
 
“Ndryshimet i referohen futjes së neneve të reja në Ligjin për Sigurinë e Trafikut Rrugor, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me pronarin e mjetit (personin me të drejtën e përdorimit të mjetit) me të cilin është kryer kundërvajtja rrugore. Kundërvajtja e trafikut do të dokumentohet me mjete teknike dhe aparate regjistruese përkatëse, ndërsa pronarit të mjetit do t'i dërgohet raport përkatës për kundërvajtjen e kryer. Rregullimi i mëtutjeshëm i procedurës për mbrojtjen e të dhënave personale është duke vazhduar, pra në periudhën në vijim, duke respektuar të gjitha rregulloret ligjore.”, thonë nga MPB.
 
Qëllimi i projektit është rritja e sigurisë në komunikacion, përmirësimi i sigurisë së qytetarëve dhe reduktimi i të gjitha llojeve të krimit. Një risi e mirëpritur shumë nga qytetarët që çdo ditë ndihen të rrezikuar në komunikacion.
 
“Kamerat ndikojnë shumë, sepse hyjnë në rrugë të gabuar, i tejkalojnë veturat, hyjnë në të kuqe. Po, natyrisht se duhet të gjobiten shkeljet e qytetarëve që e bëjnë këtë vepër.”, - tha një qytetar.
 
“Janë të rëndësishme dhe janë mirë se nuk duhet të vozisin shpejt dhe duhet të vozisin normal, siç është e paraparë. Besoj se do të bëhet mirë. Edhe këto që vozisin shpejt do të gjobiten dhe do të marrin gjoba.”, - tha një qytetar tjetër. 
 
“Shumë janë të rëndësishme, shumë.”, - u shpreh një qytetar.
 
Sistemi gjithashtu do të regjistrojë shkeljet e trafikut si kalimi i sinjalit të mbyllur (drita e kuqe), drejtimi me shpejtësi më të madhe se shpejtësia e lejuar dhe parkimi i paligjshëm. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU