Botë
Konflikti Rusi – Ukrainë, forcat ruse morën nën kontroll qytetin Kurahov
06.01.2025 16:30
Betejat në vijën e frontit në Ukrainë u intensifikuan....

Betejat në vijën e frontit në Ukrainë u intensifikuan. Forcat ruse kanë marrë nën kontroll qytetin e Kurahovit, zona më e madhe e populluar në pjesën jugperëndimore të Donbasit. Sulmet me dronë gjithashtu vazhdojnë. Situata është shumë e vështirë, thonë këmbësoria që ndodhet në vijën e parë të qytetit të rëndësishëm strategjik të Pokrovskit.
“Armiku po përdor gjithashtu dronë me fibra optike në përpjekje për të bllokuar rrugët. Shumë ushtarë luftojnë këtu, sepse kjo është një nga zonat më të vështira në front. Armiku përqendroi pothuajse të gjitha rezervat e tij këtu. Nëse, Zoti na ruajt, armiku kap qytetin Pokrovski, por ne nuk do ta lejojmë atë, atëherë ai do të bllokojë shumë transporte, rrugë furnizimi dhe lëvizje. Politikanët duhet të flasin për një armëpushim. Ne do të përmbushim detyrat tona.", - deklaroi një komandant i njësisë së këmbësorisë së Gardës Kombëtare të Ukrainës.
Moska tha se po zmbrapste një ofensivë të re ukrainase në rajonin kufitar të Rusisë Kursk, ku forcat e Kievit kontrollojnë disa qindra kilometra katrorë. Pozicioni i ushtrisë ukrainase në Kursk do të jetë i rëndësishëm në kontekstin e negociatave të mundshme të paqes mes Kievit dhe Moskës, tha sekretari amerikan i shtetit, Blinken. Ai shprehu shqetësimin për lidhjet e ngushta midis Rusisë dhe Koresë së Veriut dhe mbështetjen e Phenianit për mijëra trupa në fushën e betejës.
“Pozicioni i tyre në Kursk është i rëndësishëm, sepse sigurisht është diçka që do të ndikojë në çdo negociatë që mund të ndodhë në të ardhmen. Unë mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme që nëse bëhet fjalë për një pikë ku ka negociata dhe përfundimisht ka një armëpushim, që të bëhet nën kushtet më të mira të mundshme dhe në përputhje me diçka që është sa e drejtë dhe e qëndrueshme.", - theksoi sekretari i shtetit të ShBA-së, Antoni Blinken.
Për garancitë e sigurisë për Kievin për t'i dhënë fund luftës, presidenti Zelenski thotë se ato mund të jenë efektive vetëm nëse sigurohen nga Shtetet e Bashkuara. Ai theksoi se ukrainasit besojnë se Trampi do ta detyrojë Moskën të pajtohet me një paqe të qëndrueshme.
ERUAN PAJAZITI
