Maqedoni
Mobingu, LSM-ja kërkon ndryshime të ligjit
06.01.2025 16:50
Lidhja e Sindikatave kërkon ndryshime të ligjit për mobing, gjegjësisht shqetësimit në vendin e punës...

Lidhja e Sindikatave kërkon ndryshime të ligjit për mobing, gjegjësisht shqetësimit në vendin e punës. Iniciativa është hapur tre vite më parë. Nga LSM-ja thonë se janë formuar grupe të punës që kanë analizuar nevojën e një ligji të ri, por deri më tani askush nuk i ka thërritur.
“Praktika ka dëshmuar se zgjidhjet ligjore nuk mundësuan mbrojtje nga shqetësimet në vendin e punës. Andaj para tre viteve nisi procedura për analizë të nevojës për përgatitjen e ligjit të ri. LSM-ja ka përfaqësuesin e saj në grupin e punës, por për arsye të panjohura grupi i punës tanimë një vit nuk është thirrur për të dhënë mendim dhe për të vazhduar me punë.”, theksojnë nga LSM-ja.
Nga LSM-ja thonë se zbatimi i ligjit të miratuar në vitin 2013 ka treguar se ka nevojë për përmirësimin e dispozitave dhe harmonizimin me standardet ndërkombëtare të punës. Nga viti 2013 e deri më tani, deri tek LSM-ja janë dorëzuar 25 ankesa për shqetësime në vendin e punës. Dihet që shqetësimi psikik është dukuri negative në vendin e punës duke ndikuar negativisht mbi shëndetin fizik dhe mental të punëtorit. Nga LSM-ja kërkojnë qasje institucionale ndaj kësaj dukurie duke siguruar mekanizma ligjore për minimizimin e të njëjtit. Gjithashtu theksohet nevoja e edukimit të punëtorëve për realizimin, avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
MERAL ISMAILI
