Maqedoni

AUV: Gjatë vitit 2024, shumica e ankesave për helmim nga ushqimi

06.01.2025 17:14

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konstatuar një numër të madh të ankesave për helmim me ushqim dhe produkte me afat të skaduar...

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konstatuar një numër të madh të ankesave për helmim me ushqim dhe produkte me afat të skaduar gjatë vitit që lamë pas. Agjencia ka kryer 30 mijë kontrolle të operatorëve ushqimorë, në kuadër të inspektimeve të rregullta, të jashtëzakonshme dhe të importit. Mbi 70 tonë ushqime u asgjësuan si të pasigurta, rreth 2.000 vendime për mënjanimin e parregullsive dhe u shqiptuan rreth 300 gjoba. Agjencia, inspektime më të intensifikuara ka kryer tek operatorët me ushqim, të cilët punojnë me kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve edhe atë tek këndet e lojërave për fëmijë, kuzhina në kopshte dhe shkolla fillore dhe speciale, tregje të sendeve të vjetra, si dhe në objektet gastronomike.

“Gjatë importit të ushqimit me prejardhje jo shtazore janë realizuar 44.137 mbikëqyrje inspektuese, ndërsa gjatë importit të produkteve dhe materialeve që vijnë në kontakt me ushqimin, 10.352. Inspektorët për ushqim në vendkalimet kufitare, si të pasigurta, kanë asgjësuar 7 dërgesa me mbi 74 tonë ushqim të pasigurt me prejardhje jo shtazore.”, thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
 
Për sa i përket kujdesit shëndetësor dhe mirëqenies së kafshëve, identifikimit dhe regjistrimit të tyre, janë kryer mbi 14 mijë kontrolle inspektuese nga veterinerë zyrtarë. Janë dhënë 267 vendime për edukim dhe 136 urdhra/ndalime për mënjanimin e mangësive të konstatuara nga kontrollet.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI