Maqedoni
Prishtinë, konferencë rajonale për arsimin e lartë
04.05.2015 17:51
Konferenca rajonale për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar përmes shkëmbimit...

Konferenca rajonale për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar përmes shkëmbimit të përvojave mes Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e arsimit sipëror.
Cilësia e arsimit të lartë, autonomia e universiteteve dhe hartimi i legjislacioneve të përbashkëta mes tre vendeve ishin temat kyçe të debatit që u zhvillua në Prishtinë.
“Të tre vendet jemi në proces të hapur të reformës në arsimin e lartë dhe po mundohemi të krijojmë një sistem të unifikuar, që do të mundësojë krijimin e një mobiliteti akademik, që studentët të lëvizin në Prishtinë, Tiranë, Shkup e Tetovë lirshëm, pa kufizime administrative. Të krijojmë një lëvizje të profesorëve në rajon. Jemi shtete fqinje dhe kemi nevojë që profesorët tanë të lëvizin dhe të krijojnë, pse jo, edhe programe të përbashkëta akademike”- deklaroi ministri i Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami.
Sipas ministrit të Arsimit, Abdylaqim Ademit, reformat kërkojnë kyçjen e universiteteve dhe debate të gjëra publike.
“Konferenca dëshmon edhe komponentë të rëndësishëm, atë të transparencës dhe gjithëpërfshirës. Këto aktivitete unë nuk do t'i quaja reforme, sepse këto transformime nuk mund të ndodhin vetëm nga politika dhe konsideroj se kyçja e universiteteve është e domosdoshme, duke e ditur konceptin e Ligjit për Arsimin e Lartë. Ne shumë shpejt do të dalim edhe me propozim-tekstin, i cili do t'i nënshtrohet një debati të gjerë publik dhe e gjithë kjo do të rrumbullakohet me një konferencë për arsimin e lartë në muajin qershor”- tha ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Ndërsa ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, theksoi se shpreson në bashkimin e programeve që do të ndikonin në cilësinë e arsimit sipëror.
“Jam shpresëplotë që kjo konferencë do të na vë përpara 3 ministrat e Arsimit të vendeve tona, një agjendë tre punë, se si ne të përmirësojmë, mbështesim profesoratin, universitetet dhe studentët nën një kryefjalë të madhe, që është cilësia e diplomave, kërkimit shkencor, cilësia e dijës në tregun e punës, e institucioneve me standarde evropiane”- theksoi ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Në kuadër të rritjes së cilësisë në arsimin sipëror, në Shqipëri janë mbyllur 18 universitete private, në Prishtinë janë mbyllur dy universitete dhe katër kolegje, ndërsa në Maqedoni po hartohet propozim-teksti i Ligjit të Arsimit Sipëror.
Në këtë konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të universiteteve publike dhe private nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria dhe vendet e rajonit.
FLUTURA LATIFI
