Maqedoni

Ndërhynë me forcë 50 persona në selinë e BFI-së, Rexhepi thërret Rijasetin në Kondovë

04.05.2015 17:57

Një grup prej 50 personash të drejtuar nga myftiu i Shkupit, Ibrahim Shabani, dhe sekretari i BFI-së, Afrim Tahiri, të cilët Rijaseti i shkarkoi javën e shkuar...

Një grup prej 50 personash të drejtuar nga myftiu i Shkupit, Ibrahim Shabani, dhe sekretari i BFI-së, Afrim Tahiri, të cilët Rijaseti i shkarkoi javën e shkuar, kanë hyrë me forcë në lokalet e BFI-së, duke marrë kontrollin e saj dhe vulat e këtij institucioni.
 
Ata kanë formuar edhe një këshill të përkohshëm dhe paralajmërojnë formimin e një komisioni financiar, që do të analizojë financat e BFI-së. 
 
“Nga sot Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë do të udhëhiqet nga një këshill i përkohshëm, në krye me myftiun e Shkupit, Ibrahim Shabanin. Brenda këtyre ditëve formohet komision financiar i asistuar nga revizorë profesional, të cilët do të konstatojnë gjendjen faktike financiare në Bashkësinë Islame të Republikës së Maqedonisë, pas së cilës xhemati dhe besimtarët do të jenë të njoftuar detajisht”- deklaroi ish myftiu i Shkupit, Ibrahim Shabani.
 
Ndërkohë, kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi, ka thirrur në Kondovë mbledhjen urgjente të Rijasetit të BFI-së për të diktuar situatën. 
Incidenti i mëngjesit të sotëm në BFI është konfirmuar edhe nga MPB.
 
Nga atje thonë se po hetojnë rastin, por nuk kanë dalë me hollësi të asaj që ndodhi mëngjesin e sotëm në Bashkësinë Fetare Islame.
 
Incidenti në BFI vjen një javë pas një tjetër incidenti mes kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepit, dhe myftiut të shkarkuar të Shkupit, Ibrahim Shabanit, të cilin BFI e akuzon edhe për keqpërdorime financiare.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI