Ekonomi
Aliu: Rritja e rrogave nuk do të ndikojë tek inflacioni
07.01.2025 14:04
Rritja e pagës minimale, harmonizimi i së njëjtës, marrëveshjet e Qeverisë për të rritur pagat në sektorin e arsimit...

Rritja e pagës minimale, harmonizimi i së njëjtës, marrëveshjet e Qeverisë për të rritur pagat në sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe rritja e pensioneve, ekonomikisht lë të nënkuptojë që do të ketë afër 60 milionë euro më shumë në treg për qytetarët. Qeveria për vitin 2025 ka paraparë një rritje ekonomike prej 3.7 për qind, por me një inflacion prej 2.2 për qind. Profesori universitar, Hamit Aliu, thotë se kjo shpërndarje e mjeteve tek qytetarët nëpërmjet rrogave nuk do të ndikojë në rritje të inflacionit, potencon se e rëndësishme për ekonominë e vitit 2025 është të ulet niveli i korrupsionit.
“Në RMV do të jetë vazhdimësia e vitit 2024, por do të jetë në një shkallë më të ulët varësisht prej mekanizmave që do të përdoren nga Qeveria dhe sa do të jemi të vetëdijshëm për nivelin e inflacionit. Nuk do të thotë që brenda një viti të eliminohen të gjitha krizat, por ne duhet të pranojmë që me vite të tëra nuk kemi pasur strategji për mirëqenien ekonomike dhe ngritjen sociale. Inflacioni mund të kontrollohet, vetëm duhet dihet të përdoren mjetet si në praktikë, por dhe në aspekt shkencor. Me një sinqeritet dhe duke larguar korrupsionin mund të arrihen shumë gjëra.”, - deklaroi profesori universitar, Hamit Aliu.
Aliu: Kujdes me shkallën e informalitetit
Shkalla e informalitetit në nivel prej afër 60 për qind e BPV-së duhet të jetë fokusi tjetër për vitin 2025. Profesori Aliu thotë se duhet pasur kujdes me mjetet e shtetit që shkojnë për kategoritë sociale e që njëkohësisht janë persona që ndikojnë në rritjen e ekonomisë informale.
“Ka mekanizëm për uljen e ekonomisë informale, por nuk mund të eliminohet, sepse në çdo shtet ka ekonomi informale, por përqindja është e ulët. Ekonomia informale mund të ulet shumë, duhet të dimë se kush janë ata, a janë në marrëdhënie pune dhe ne jemi shtet dhe duhet t’i dijë banorët e vet. Të gjithë banorët në RMV nëse nuk janë të kënaqur nga niveli ekonomik i jetesës, atëherë nuk ka asgjë dhe kjo do të ulë edhe informalitetin dhe çdo gjë vetëm në mënyrë transparence dhe me sinqeritet.”, - theksoi profesori universitar, Hamit Aliu.
Për vitin 2025 pritet që të ulet niveli i papunësisë në 11.2 për qind, rritje e investimeve bruto prej 8.1 për qind, rritje të eksportit prej 4.2 për qind. Në rritjen ekonomike, sipas Qeverisë efekt pozitiv pritet të ketë edhe kredia hungareze në vlerë prej 1 miliard euro.
GAZMEND REXHEPI
