Maqedoni
Mickoski: Impiantet e gazit, zgjidhje për uljen e ndotjes
07.01.2025 14:49
Ndryshimi i mënyrës së ngrohjes gjatë sezonit dimëror është mënyra e vetme për ta ulur nivelin e lartë të ndotjes...

Ndryshimi i mënyrës së ngrohjes gjatë sezonit dimëror është mënyra e vetme për ta ulur nivelin e lartë të ndotjes, thotë kryeministri, Hristijan Mickoski. Sipas tij, që të ndodhë kjo, duhet të ndërtohen impiante të gazit për çka nevojiten pesë deri në gjashtë vite.
“Mënyra e vetme që ta zvogëlojmë misionin e grimcave të dëmshme është që në periudhën nga nëntori deri në mars, ta ndryshojmë sistemin e ngrohjes së shtëpive, përkatësisht më pak derivate fosile dhe më shumë derivate ekologjike, përfshirë dhe ngrohjen qendrore. Që të ndodhë kjo na duhet të ndërtojmë impiante të gazit për çka ne po punojmë. Një nga investitorët nga 15 të interesuar ka interesim për ndërtimin e impianteve të gazit, por për këtë nevojiten dy deri në tre vite, e ndoshta edhe më shumë, 5 deri në 6 vite.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Ajri i ndotur, shkëmbim akuzash mes BDI-së dhe VLEN-it
BDI-ja ka reaguar për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit duke kritikuar pushtetin, pasi “Shkupi dhe Tetova këtyre ditëve janë në krye të listës së qyteteve më të ndotura në botë, duke kaluar edhe Mumbain dhe Vuhanin.”
“Ministrat e paaftë dhe të papërgjegjshëm vazhdojnë të merren me propagandë dhe justifikime boshe, duke fajësuar qeverinë e mëparshme në vend që të ofrojë zgjidhje. Nuk kanë asnjë plan, asnjë masë konkrete, vetëm fjalë dhe arsyetime të lodhura, ndërsa njerëzit po mbyten nga ndotja!”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Nga kjo parti njëherit kërkojnë: të miratohen masa urgjente për zvogëlimin ndotjes së ajrit; të mbështeten familjet dhe grupet e rrezikuara me ndihmë për mbrojtje nga ndotja dhe të ndalojnë lojërat politike dhe të merret përgjegjësi për krizën e shëndetit publik. Ndaj komunikatës së BDI-së ka reaguar nga koalicioni VLEN duke theksuar se BDI-ja e ka ndotur shoqërinë shqiptare me kriminalitet, kazino, tenderë, amoralitet dhe nepotizëm dhe pas 22 vitesh në pushtet, pikërisht sot, BDI-së i erdhi ndër mend për herë të parë të kujdeset për mjedisin jetësor ku jetojnë qytetarët tanë.
“Ndotja e ajrit nuk është problem i djeshëm. Gjendja me cilësinë e ajrit përbën një sfidë shumëvjeçare, e cila kërkon masa sistematike dhe strategjike. Për fat të keq, mangësitë e grumbulluara nga vitet dhe qeveritë e kaluara nuk mund të kapërcehen për disa muaj. Qeveria po ndërmerr aktivitete për vendosjen e kontrollit të plotë mbi kapacitetet industriale, promovimin e burimeve ekologjike të ngrohjes, si dhe inspektime të vazhdueshme dhe të intensifikuara dhe bashkëpunim me vetëqeverisjet lokale.”, theksojnë nga koalicioni VLEN.
Për herë të parë, Qeveria ka miratuar një “Program kundër ndotjes së ajrit 2024 - 2030”, shtojnë nga VLEN-i duke theksuar se Qeveria tashmë ka miratuar një dokument strategjik planifikues me qëllime konkrete programore dhe paketa projektesh që synojnë uljen e emetimit të grimcave të ngurta në qytete.
FLORIJE KAMBERI
