Maqedoni

Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, Siljanovska: Problem është formulimi i 20%-shit

07.01.2025 15:07

Pas vendimit për përdorimin e vetos mbi Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, presidentja Davkova deklaroi se ka vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin...

Pas vendimit për përdorimin e vetos mbi Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, ku parashiheshin Licenca edhe në gjuhën shqipe, presidentja Gordana Siljanovska Davkova deklaroi se ka vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet, ndërsa asnjëherë nuk e ka pasur për qëllim që të përdorë veton për të fyer gjuhën e dikujt. Sipas Davkovës, problemi qëndron tek formulimi i të paktën 20%-shit,që sipas saj nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet. Theksoi se interpretimi i normave dhe ligjeve mund të jetë kushtetuese dhe shkencore, por dhe jo partiake, duke mohuar se ka pranuar këshilla partiake për vendimin e fundit.
 
“Në nenet 9 dhe 10 ka dispozita të cilat mendoj se përbërja parlamentare duhet t’i lexojë edhe një herë, prandaj thuhet se është dekret. Unë vetëm tregoj, nuk gjykoj dhe nuk sjell vendim përfundimtar. Tregova se formulimi me të cilin thuhet se licencat lëshohen në gjuhën maqedonase dhe shqipe, nuk shkruan në gjuhën maqedonase dhe gjuhën që flasin 20%-shi. As formulimi më se paku 20% nuk është siç është e paraparë në Kushtetutë dhe Ligje. Askush nuk e konteston që kur të merret provimi në gjuhën shqipe, të merret licenca në gjuhën shqipe.”, - deklaroi kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Mickoski: Shqiptarët mund të marrin licenca në gjuhën shqipe
 
Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se bëhet fjalë për formalitet i cili do të korrigjohet në kohë sa më të shpejtë në procedurë parlamentare. Thekson se gabimi është tek formulimi i 20%-shit, ashtu siç është e paraparë në Kushtetutë dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
 
“Është një formulim i cili do të tejkalohet shumë shpejt. Dihet se gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e RMV-së është gjuha maqedonase, por të gjithë ata, në këtë rast shqiptarët, të cilët do të kërkojnë që  formulari për provimin apo licencë të jetë edhe në gjuhën shqipe, tani do të formulohet në mënyrë precize në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit të Gjuhëve dhe kuptohet se do ta fitojnë këtë të drejtë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Ligji për mbrojtjen e fëmijëve u votua me badenter më 24 dhjetor të vitit 2024.
 
FLORIJE KAMBERI