Maqedoni
Vazhdon bojkoti i mësimit, ministri Ademi i hapur për bashkëpunim
04.05.2015 18:36
Nxënësit e shkollave të mesme hyjnë në javën e dytë të qëndrimit të tyre nëpër tenda përpara godinës së Ministrisë së Arsimit...

Ata presin që autoritetet t’i thërrasin në takim për t’u marrë vesh mbi dy kërkesat e tyre: heqjen e testimit ekstern, si dhe kthimin e regjimit të vjetër të maturës shtetërore.
“Ne konsiderojmë që duhet të ketë edhe disa takime, pasi që kërkesat tona akoma nuk janë përmbushur në tërësi. Nga takimi që patëm nuk u dakorduam që ata të lëshojnë pe në pjesën e maturës shtetërore. Ata vetë kanë marrë një vendim të këtillë”- deklaroi nxënësi, Aleksandar Mileski.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, sot nga Prishtina, ku merrte pjesë në një seminar të arsimit, tha se qëndrimi i fundit i Ministrisë së Arsimit është që matura shtetërore edhe këtë vit të realizohet sipas konceptit të vjetër, gjegjësisht në formë të shkruar dhe jo elektronike, ndërsa matematika të jetë lëndë zgjedhore për të gjithë nxënësit.
Kërkesa e dytë e nxënësve për heqjen e testimit ekstern refuzohet nga qeveria. Me gjithë qëndrimin e marrë, Ademi nuk përjashton mundësinë për bashkëpunim me nxënësit, të cilët po e bojkotojnë mësimin.
“Megjithatë, ngelemi të hapur për bashkëpunim jo vetëm me nxënësit, të cilët për momentin janë duke bojkotuar, por edhe me grupe të tjera të interesit, me qëllim të avancimit të dy proceseve shumë të rëndësishme të arsimit në Maqedoni, të maturës shtetërore dhe të notimit ekstern”- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Ademi, apelon nxënësit që të kthehen në mësim, ndërsa prindërit si dhe punëtorët e arsimit të angazhohen që fëmijët e tyre të ndërpresin bojkotin.
Numri i nënshkrimeve të mbledhura në mbështetje të nxënësve sot tejkaloi shifrën 10 mijë. Për kërkesat e tyre, nxënësit marrin mbështetjen edhe të Plenumit të Arsimtarëve nga një mbledhje e organizuar.
Nxënësit vazhdojnë me bojkotin e mësimit si në shkolla, por edhe në parkun e gazetarëve. Nëse arrihet marrëveshje, ata shprehen të gatshëm që orët e humbura, tanimë pesë javë, t ’i zëvendësojnë.
MERAL ISMAILI
