Maqedoni

DASh: Korrupsioni, pengesë e përparimit të RMV-së

07.01.2025 17:07

Korrupsioni vazhdon të jetë një pengesë e rëndësishme për përparimin e Maqedonisë së Veriut...

Korrupsioni vazhdon të jetë një pengesë e rëndësishme për përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe një arsye kryesore pse reformat ekonomike po dështojnë dhe të rinjtë po largohen, ka vlerësuar një zyrtar i Departamentit të Shtetit. Ai për “Zërin e Amerikës” në gjuhën maqedonase, ka thënë se populli meriton që udhëheqësit dhe zyrtarët e tyre të mbajnë përgjegjësi. 
 
“Askush nuk është mbi ligjin, ndryshojini mjetet dhe ligjet tuaja ekzistuese për rezultate më të mëdha dhe respektojeni pavarësinë e gjyqësorit. Populli meriton që liderët dhe funksionarët e tij të mbajnë përgjegjësi. ShBA-ja mbështet dënimin e atyre që shfrytëzojnë zbrazëtirat ligjore dhe që punojnë për interesin e tyre, në vend të interesit të njerëzve që e kanë zgjedhur në atë funksion.”, ka thënë zyrtari i Departamentit të Shtetit.
 
DASh: Lista e zezë amerikane do të zgjerohet
 
Ai gjithashtu ka paralajmëruar se pas vendosjes së ish-zëvendëskryeministrit, Artan Grubit, dhe të gjykatësit, Enver Bexheti, në listën e zezë amerikane për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion, shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta përditësojnë listën e zezë. 
 
“Ashtu si hetimet nxjerrin prova të reja për sjellje të pahijshme, posaçërisht të atyre që janë në pozicione të fuqishme, presim të vijojë përditësimi i listës së sanksioneve. Edhe pse nuk mund të sigurojmë një kornizë konkrete kohore, mund të themi se besojmë që do të shtohen shumë emra dhe mund të prisni se të gjitha sanksionet e ardhshme, do ta pasqyrojnë përkushtimin tonë në promovimin e përgjegjësisë dhe mbështetjes për sundimin e së drejtës në RMV.”.
 
Nga DASh-i theksojnë se ShBA-ja mbetet optimist për angazhimin e vendit për të zbatuar reformat e nevojshme dhe se rruga evropiane është kyçe për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
 
ERSAN PAJAZITI