Trampi paralajmëron NATO-n
08.01.2025 12:42
13 ditë përpara se të bëjë betimin që zyrtarizon vendosjen e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë...

13 ditë përpara se të bëjë betimin që zyrtarizon vendosjen e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, shpjegoi kursin që ka ndërmend të marrë lidhur me çështjet kyçe të politikës së jashtme kur në duart e tij të kalojë drejtimi i vendit.
Trampi riktheu një kërkesë të vjetër për partnerët e NATO-s, sa i përket rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen.
“Vendet partnere të aleancës duhet të rrisin ndjeshëm shpenzimet e tyre për mbrojtjen. Në vend të dy për qind të produktit të tyre të brendshëm bruto, ato në të ardhmen duhet të investojnë pesë për qind.”, thotë më tej presidenti amerikan.
Gjatë fushatës zgjedhore, republikani i pati kërcënuar vendet anëtare të NATO-s që nuk paguajnë kontributin, se nuk do t’i mbështeste në rast të një sulmi nga Rusia. Presidenti i ardhshëm amerikan kishte sinjalizuar që gjatë mandatit të tij të parë si president se ShBA-ja do të tërhiqej nga NATO-ja, nëse vendet evropiane nuk rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen. Të gjitha vendet mund ta përballojnë këtë rritje nga dy në pesë për qind, tha Trampi.
