Maqedoni

Stabilizohet transporti urban në Shkup, lidhet kontratë me “Pucko Petroll”

08.01.2025 13:49

Ndërmarrja e Transportit Publik dalëngadalë po stabilizohet me furnizimin e derivateve të naftës...

Ndërmarrja e Transportit Publik dalëngadalë po stabilizohet me furnizimin e derivateve të naftës, ndërsa me këtë edhe transporti urban në kryeqytet. Kryetari i Sindikatës së të punësuarve pranë NQP-së, Miqo Stojanovski, thotë se tani më nuk ka problem me furnizimin me naftë pasi që është lidhur kontrata e re për furnizim me kompaninë “Pucko Petroll”. Shpreson se kështu do të vazhdojë edhe gjatë gjithë vitit.
 
“Sipas furnizimit të bërë ndërmjet “Pucko Petrollit” në vlerë prej 2 milionë euro gjatë muajve dhjetor, janar dhe shkurt, unë mendoj se furnizimi me naftë do të zhvillohet në mënyrë të rregullt. Tani për tani naftë ka dhe shpresojë se kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës së NQP-së, Miqo Stojanovski.
 
Sfidë e re e NQP-së është ikja e shoferëve
 
Por, ajo që më së shumti i brengos sindikalistët tashmë një vjet e më shumë është ikja e personelit të kësaj ndërmarrjeje. Sipas Stojanovskit, rreth 550 të punësuar, kryesisht shoferë autobusi, kanë lënë punën në NQP brenda një vjet e gjysmë, ndërsa po ashtu problem shtesë është vonesa e furnizimeve më të mëdha publike për mirëmbajtje të autobusëve. 
 
“Ikja e personelit të NQP-së ka vazhdimisht dhe jo vetëm nga ana e drejtuesve të autobusëve, por edhe të personelit tjetër, siç janë: mirëmbajtja,  sektori i ekonomisë dhe juridikut. Brenda 15 muajve NQP-në e kanë braktisur më shumë se 500 të punësuar, kështu që po heqim me kuadër cilësor, megjithatë transporti publik duhet të realizohet dhe këtë gjë e kemi prioritet.”, - theksoi kryetari i Sindikatës së NQP-së, Miqo Stojanovski.
 
Qytetarët vazhdojnë të ankohen për pritje të gjata
 
Pavarësisht stabilizimit të transportit publik me derivate të naftës, një pjesë e qytetarëve ankohen se presin gjatë autobusët për të ardhur. 
 
“Po pres prej 30 deri më 40 minuta dhe më besoni gjithmonë është kështu.”, - tha një qytetar.
 
“Për dallim nga më herët, tani pak më të rregullt janë autobusët.”, - tha një qytetare.
 
“Autobusët që qarkullojnë në qendër nuk janë problem, ato vijnë, mirëpo autobusët që qarkullojnë nëpër zonat rurale, priten edhe dy orë.”, - u shpreh një qytetare tjetër.
 
Kohë më parë NQP-së i janë dorëzuar gjashtë autobusë ekologjikë nga BE-ja dhe ato qarkullojnë në kryeqytet, ndërsa përfaqësues të ekzekutivit disa herë kanë paralajmëruar se po punohet për të modernizuar transportin publik duke siguruar autobusë të rinj. 
 
REXHEP QAMILI