Veriu i Kosovës, mbyllet zyra që mblidhte tatime për Serbinë
Policia e Kosovës vazhdon me mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë...

Policia e Kosovës vazhdon me mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë në Veri të Kosovës. Mëngjesin e së mërkurës njoftohet për mbylljen e zyrës tatimore, degë e Ministrisë së Financave të Serbisë, e cila ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë dhe subjekte në Republikën e Kosovës.
“Rreth orës 09:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona, ka funksionuar si zyrë tatimore (si degë e Ministrisë së Financave të Serbisë). Në këtë vend kemi hasur në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me prokurorë, njerëzit që janë hasur aty janë larguar nga ai vend dhe ajo ndërtesë është mbyllur deri në verifikimin e plotë të fakteve.”, kanë njoftuar nga Policia e Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë ta luftojnë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë.
“Aktiviteti ilegal i Agjencisë Tatimore të Serbisë do të hetohet nga të gjithë mekanizmat tanë institucional, ndërsa ne do të vazhdojmë të luftojmë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve tona.”, ka shkruar ai në Fejsbuk.
Pas mbylljes së zyrës që grumbullonte tatime për Serbinë, ka reaguar Lista Serbe, e cila ka akuzuar kryeministrin, Albin Kurti, se po e bën për fushatë zgjedhore.
“Duke mbyllur ilegalisht dhe dhunshëm Administratën Tatimore në Mitrovicën e Kosovës dhe duke hedhur në rrugë 80 punëtorë serbë, Albin Kurti vazhdoi fushatën e tij zgjedhore, të cilën e zhvillon ekskluzivisht pas shpinës së popullit serb, sepse nuk ka çfarë t’u ofrojë votuesve të tij.”, theksojnë nga Lista Serbe. Policia e Kosovës po e heton këtë rast si falsifikim të dokumenteve. (Gyltene Sinani, TVM2)
