Maqedoni

Në Bullgari vazhdojnë bisedimet për Qeverinë, Xhelili: RMV-ja i di detyrat, s’duhet pritur Sofjen

08.01.2025 14:47

Liderët politikë bullgarë po hyjnë në një përpjekje të re për të rënë dakord për përbërjen e koalicionit të ardhshëm qeverisës...

Liderët politikë bullgarë po hyjnë në një përpjekje të re për të rënë dakord për përbërjen e koalicionit të ardhshëm qeverisës dhe për të formuar shumicën e re në Asamblenë bullgare. Mediat lokale publikojnë informacione jozyrtare se partia e Borisovit po rinovon negociatat. Sipas mediave bullgare, palët kanë caktuar një afat deri të premten deri në të cilën planifikojnë të negociojnë intensivisht. Kjo situatë e paqëndrueshmërisë politike në Bullgarinë fqinje, sigurisht se po ndikon edhe në ecurinë e vendit tonë në procesin integrues dhe po vështirëson procesin e dialogut, një proces i cili edhe ashtu duket shumë i vështirësuar. Tani pala maqedonase thekson se nuk kanë nga pala tjetër me këtë të ulen të bisedojnë. Analisti politik Zudi Xhelili. për TVM2, ka theksuar se pavarësisht vështirësive, RMV-ja e ka të definuar trajektoren në të cilën duhet të lëvizë.
 
“RMV-ja e ka të qartë se çfarë detyrime duhet të plotësojë, pra është në pyetje ndryshimet kushtetuese dhe futja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës. Pra, nuk ka nevojë që të zhvillohen bisedime të reja, sepse është nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim në mes të dyja vendeve dhe fakti që Bullgaria nuk ka Qeveri, nuk është e vërtet, sepse zyrtarët bullgarë disa herë janë prononcuar se marrëveshja është e qartë dhe se propozimi francez duhet të miratohet nga ana e Kuvendit të RMV-së.”, - deklaroi analisti politik, Zudi Xhelili. 
 
Sipas Xhelilit, Qeveria nuk duhet të shpenzojë energji shtesë dhe të përpiqet të arrijë ndonjë marrëveshje tjetër me Bullgarinë, sepse kjo marrëveshje ka garancitë edhe të faktorit ndërkombëtar, por duhet të përpiqet që sa më shpejtë t’i sigurojë 2/3 në Kuvend dhe se nëse Qeveria e RMV-së kërkon garanci, pikërisht këtë e garantojnë BE-ja dhe Franca. 
 
“Kjo Qeveri duhet të përpiqet që t’i sigurojë 2/3 dhe t’i kalojë ndryshimet kushtetuese. Plotësisht i kuptojmë palën maqedonase, që kërkojnë garanci nga Qeveria e ardhshme bullgare apo ndonjë faktori tjetër bullgar, se nuk do të kenë kërkesa të reja, pastaj ndërmjetësues janë BE-ja, është Franca si propozuese dhe nuk kemi nevojë të kemi drojë se ata mund të kërkojnë diçka të re, pasi të miratohen ndryshimet kushtetuese.”, - theksoi analisti politik, Zudi Xhelili.
 
Sipas analistëve politikë në vend këto pritje të gjata nuk e dëmtojnë Bullgarinë, por pikërisht RMV-në. Vlen të përmendet se të dielën GERB-i nuk arriti një marrëveshje me Bullgarinë Demokratike mbi përbërjen e personelit të Qeverisë dhe pozicionin e kryeministrit, që e vështirësoi edhe më shumë çështjen e krijimit të Qeverisë. Ndërsa të hënën, presidenti i shtetit, Rumen Radev, tha se do t'u japë palëve negociatore edhe pak kohë që të kuptojnë njëri-tjetrin para dorëzimit të mandatit për formimin e Qeverisë së re.
 
FITIM KRYEZIU