Maqedoni
Interpelancat e opozitës, Mickoski: Të pritshme, por pa sukses
08.01.2025 15:03
Seancë e tensionuar pritet të shënojë fillimvitin në Kuvend...

Seancë e tensionuar pritet të shënojë fillimvitin në Kuvend. Para votëbesimit do të jenë zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti; ministri për Marrëdhënie midis Komuniteteve, Ivan Stoillkoviq; ministri për Punë të Brendshme, Pançe Toshkovski; zëvendësi i tij, Astrit Iseni dhe deputetja, Ilire Dauti. Kryeministri Mickoski, interpelancat për katër ministrat i quajti iniciativë e dështuar, me plot kritika joreale dhe tendencë për jotolerancë ndëretnike. Pas dështimit të interpelancave, Mickoski pret riformatim të opozitës.
“Pres të nxisin ndjenja të jotolerancës ndëretnike, por megjithatë konsideroj se kjo do të jetë e pasuksesshme dhe kjo tendencë do të përfundojë si përpjekje e pasuksesshme. Pres kritika të pabaza, të cilat nuk kanë kurrfarë lidhje me realitetin, por e tillë është opozita për momentin. Shpresoj se do të nxjerrin mësim dhe shumë shpejt do të ristrukturohen dhe do të freskojnë strukturat kadrovike, pasi me të vërtetë atje shohim njerëz pa kredibilitet dhe ne e dimë se çfarë kanë bërë në të kaluarën.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Krahas pushtetit, edhe deputetët e LSDM-së do të refuzojnë interpelancat, pasi sipas tyre nuk paraqesin zgjidhje të krizës dhe mund të nënkuptojnë ndarje të reja në baza etnike. Sipas deklarimit të kryeparlamentarit, Afrim Gashi, të dhënë para festave të fundvitit, çdo interpelancë do të trajtohet veçmas, por çdonjëra në fund të ditës me patjetër do të votohet.
Interpelancat për ministrat u dorëzuan muajin e kaluar nga Fronti Evropian. Ndërkaq votëbesim për deputeten Dauti, njëherësh kryetare e Komisionit për Politikë Sociale, kërkojnë deputetët e “Së Majtës”. Nga Fronti Evropian venë në mëdyshje punën e zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti, në menaxhimin e marrëdhënieve ndëretnike. Stoillkoviqi akuzohet se nuk siguroi zbatimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe neglizhoi ngjarjet vandale ndaj pronave shqiptare në Kumanovë. Kreu i dikasterit të brendshëm piketohet për incidentet e 28 Nëntorit, ndërkaq deputetja Dauti thuhet se bllokoi ligjin e të ashtuquajturve “Branitella”.
MERAL ISMAILI
