Maqedoni

UT-ja pushon nga puna Grubin

08.01.2025 15:18

Artan Grubi u shkarkua nga Fakulteti Juridik në Universitetin Shtetëror në Tetovë, ku mbante pozitën e docentit në Departamentin e Gazetarisë....

Artan Grubi u shkarkua nga Fakulteti Juridik në Universitetin Shtetëror në Tetovë, ku mbante pozitën e docentit në Departamentin e Gazetarisë. Këtë e ka bërë të ditur, dekani i Fakultetit Juridik, Safet Emruli, në një prononcim për MIA-n. Dekani i Juridikut, Emruli, ka njoftuar se Grubit i është dërguar vendimi për largim nga puna, për shkak të mungesës së tij të paarsyeshme në vendin e punës.
 
“Procedura ka përfunduar me largim nga puna të personit të përmendur. Pra, nuk është më i punësuar në Universitetin e Tetovës. Vendimi për largim nga puna i është dërguar me postë dhe në mënyrë elektronike në e-mailin zyrtar.”, ka njoftuar dekani i Fakultetit Juridik, Safet Emruli. 
 
Vendimi është i bazuar në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, ku në nenin 82, thuhet se “Punëdhënësi mund t’ia anulojë kontratën e punës punëmarrësit pa paralajmërim në rast të shkeljes së rendit dhe disiplinës së punës ose mospërmbushjes së detyrimeve të punës të përcaktuara me këtë ose ligj tjetër, marrëveshje kolektive, rregullat për rendin dhe disiplinën e punës dhe kontratën e punës, e veçanërisht nëse punëmarrësi mungon në mënyrë të paarsyeshme nga puna për tri ditë pune radhazi ose pesë ditë pune gjatë vitit.”.
 
Këtë vendim e kanë përshëndetur nga koalicioni VLEN. Nga koalicioni në pushtet me këtë rast kanë drejtuar akuza në drejtim të BDI-së, e cila sipas VLEN-it, në të kaluarën ka kultivuar një kulturë të papërgjegjshme edhe në drejtime akademike në vend.
 
“Artan Grubi, i njohur për të kaluarën e tij problematike dhe për akuzat që lidhen me arratisjen nga drejtësia, nuk përmbush kriteret morale dhe profesionale për të ligjëruar para studentëve. Universiteti është një institucion që duhet të promovojë integritetin, përgjegjësinë dhe respektin ndaj ligjit. Një person që ka shmangur përballjen me drejtësinë dhe që përfaqëson një model të kundërt me këto vlera nuk mund të jetë një shembull pozitiv për të rinjtë, andaj vendimi i Universitetit për të shkarkuar nga puna non grata Artan Grubin është më se i duhur.”, theksojnë nga koalicioni VLEN.
 
Ndryshe, më 9 dhjetor të vitit 2024, Grubi ishte futur në të ashtuquajturën Lista e Zezë e Departamentit Amerikan të Shtetit, nga ku treguan se së bashku me gjyqtarin, Enver Bexheti, janë përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm duke marrë ryshfet për rastet që kanë të bëjnë me ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijalkov. Ndaj tij është nisur edhe procedimi penal për çështjen “Lotaria Shtetërore”. 
 
ERSAN PAJAZITI