Maqedoni

Ndotja e ajrit, alarmante, Dimitrov: Të ndryshohet sistemi i ngrohjes

08.01.2025 15:32

Qytetarët e Shkupit edhe sot u zgjuan në smog...

Qytetarët e Shkupit edhe sot u zgjuan në smog. Ajri i ndotur ndjehet në të gjithë qytetin. Sipas matjeve globale nga mëngjesi i sotëm, kryeqyteti është në mesin e 10 qyteteve më të ndotura në botë dhe është më i ndoturi në Evropë. Për të reduktuar ndotjen e ajrit është i nevojshëm ndryshimi i sistemit të ngrohjes në Shkup, thonë ekspertët, si dhe një ndër zgjidhjet është ndërtimi i një centrali me gaz.
 
“Është një zgjidhje fituese, e cila, me të vërtetë i mungon qytetit të Shkupit, edhe pse veç më kemi një central, që është TeTo Shkup, por ajo nuk është e jona, nuk është e Maqedonisë, ashtu që është e huaj dhe e paguajmë që ta marrim energjinë. Nëse vet prodhojmë është e qartë se do të jetë më e lirë. Është shumë e rëndësishme të ndërtohet një central i tillë në Shkup, për shkak se do të jetë me një kapacitet të tillë të energjisë elektrike që do të zëvendësojë një bllok të KME Manastiri dhe do të lirohemi nga prodhimi i qymyrit, ndërsa si përfitim do të jetë që mbetja e asaj energjie elektrike do të shfrytëzohej për ngrohtoret, pra për ngrohjen qendrore të ndërtesave dhe shtëpive të Shkup.”, - deklaroi profesori universitar, Konstantin Dimitrov.
 
Partitë politike fajësojnë njëra-tjetrën
 
Gjendja me ndotjen është cilësuar si alarmante edhe në Strumicë. Atje Ministria ka rikthyer rekomandimet e saja, pasi dy ditë radhazi është tejkaluar pragu i grimcave të varura me madhësi deri në 10 mikrometra.
 
“Ndalohet djegia në të hapur dhe të gjithë subjekteve juridike u rekomandohet që të lehtësojnë nga puna gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe personat me astmë kronike, infarkt të mëparshëm të miokardit ose goditje në tru, pavarësisht nga mosha, me rekomandimin e mjekut të familjes. Rekomandohet të gjithë subjekteve juridike që të riorganizojnë orarin e punës dhe personat që punojnë jashtë të punojnë nga ora 11:00 deri në ora 17:00, si dhe të mos organizojnë gara sportive dhe ngjarje të tjera kulturore në natyrë.”, theksojnë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. 
 
Ndërkohë partitë politike vazhduan me akuzat ndaj njëra-tjetrës. Sipas LSDM-së, përderisa qytetarët po “ngulfaten”, shqetësuese është ajo se Qeveria nuk po merr asgjë kundër ajrit të ndotur. 
 
“Kur ishte në opozitë, DPMNE-ja shpalli mbi 1 miliard euro për investime në ajër të pastër dhe ulje të ndotjes me 50%. Si Qeveri, DPMNE-ja nuk po merr asgjë tani.”, theksojnë nga LSDM.  
 
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja reagon duke thënë se me çdo deklaratë në drejtim të ndotjes së ajrit, LSDM-ja vetëm konfirmon paaftësinë e tyre dhe faktin se gjatë qeverisjes së tyre shtatëvjeçare nuk kanë bërë asgjë për të ulur ndotjen e ajrit. Alarmin për ndotjen e ajrit e kanë dhënë edhe shoqatat ambientaliste.  
 
BELINDA KOKA ADEMI