Maqedoni
Kolonat e gjata në kufirin e Kosovës, Fetai: Brenda janarit pritet të funksionojë One Stop Shop
08.01.2025 16:16
Zëvendëskryeministri, Arben Fetai, në emisionin “ZOOM” është pyetur në lidhje me kolonat e gjata në kufirin me Kosovën...

Zëvendëskryeministri, Arben Fetai, në emisionin “ZOOM” është pyetur në lidhje me kolonat e gjata në kufirin me Kosovën, gjë që shkaktojnë pakënaqësi te qytetarët e të dyja vendeve. Sipas Fetait, shkak për këto pritje të gjata janë edhe festat e fundvitit, të cilat kanë shtuar qarkullimin e qytetarëve.
“Është edhe periudha e vitit, ka pasur edhe fluks të madh të mërgimtarëve, të cilët janë kthyer për festa dhe është mirë që njerëzit tanë lëvizin drejtë Kosovës dhe qytetarët e Kosovës lëvizin drejt shtetit tonë.”, ka thënë Fetai.
Sipas tij, sa i përket pritjeve në kufi ka situata edhe më të këqija.
“Kur i shohim edhe radhët kilometrike në shtete si Kroacia, në kufijtë Kroaci-Serbi, ku është pritur edhe deri në 15 orë, në bazë të informatave që kam nga mërgimtarët, nuk është edhe aq keq. Normalisht se do të duhej që kufijtë të krijonin më pak, pritje më pak radhë.”, tha zëvendëskryeministri, Fetai.
Ai theksoi se brenda janarit pritet të fillojë edhe zbatimi i sistemit One Stop Shop, i cili sipas Fetait, ndjeshëm do të ulë kohën e pritjes në kufirin e Bllacës.
ERSAN PAJAZITI
