Maqedoni

IShP: S’ka raste me virusin metapneumo

08.01.2025 16:35

Deri më tani në IShP nuk është regjistruar asnjë rast me virusin metapneumo dhe vend për panik nuk ka...

Deri më tani në IShP nuk është regjistruar asnjë rast me virusin metapneumo dhe vend për panik nuk ka, thonë epidemiologët. Sipas tyre, ky virus ishte detektuar viteve të kaluara, por nuk duhet të jetë e papritur nëse paraqitet edhe në vendin tonë, pasi që ky virus ka arritur në Greqi. Virusi metapneumo zakonisht qarkullon gjatë muajve të dimrit dhe pasqyra klinike është e ngjashme sikur tek viruset tjera respiratore me temperaturë dhe kollitje, ndërsa mund të shkaktojë komplikime tek fëmijët dhe të moshuarit.
 
“Vend për panik tani për tani nuk ka, sa më shumë pacientë që testohen, normalisht se dhe do të vërtetohen raste më shumë të virusit, megjithatë kjo nuk d.m.th. që nuk ka qenë prezent edhe në periudhat e kaluara. Deri më tani janë regjistruar 9 raste nga vitet e kaluara, dimri pritet që të rrit numrin e pacientëve me virusin metapneumo, por nuk është diçka për t’u brengosur.”, - deklaroi epidemiologia e IShP-së, Marija Goceva.
 
Nuk ka nevojë për përgatitje për një epidemi të re, thonë nga Komisioni Evropian.
 
“Nuk është e nevojshme të përgatitemi për një pandemi të re. Ka shumë raportime nëpër media për situatën në Kinë, megjithatë është duke u monitoruar situata nga afër dhe do të diskutohet në komitetin e shëndetësisë në javët e ardhshme.”, - theksoi Eva Herncirova nga Komisioni Evropian.
 
Mjekët thonë se virusi metapneumo bartet nga kontaktet e afërta dhe për këtë virus nuk ka trajtim të veçantë dhe se nuk bëhet fjalë për virus serioz, sepse shkakton simptome të lehta respiratore. 


VLORA LATIFI TOPOJANI