Botë
Zjarre të furishme në Kaliforni, mbyllen shkollat në Los Anxheles
08.01.2025 17:02
Zjarr dhe erëra të fuqishme, gërshetim që shkakton ferr në shtetin amerikan Kaliforni...

Zjarr dhe erëra të fuqishme, gërshetim që shkakton ferr në shtetin amerikan Kaliforni pas shpërthimit të zjarrit pyjor në lagjen “Pacifik Palisades” në afërsi të Los Anxhelosit. Flakët gllabërojnë gjithçka përballë, ekipet e zjarrfikësve janë në luftë të ashpër për të ndalur përhapjen e shpejtë të zjarrit. Shkollat në 19 qarqe janë mbyllur, mijëra njerëz janë evakuuar nga Kalifornia Jugore. Të paktën 220.916 shfrytëzues janë pa rrymë. Këto zjarre po nxiten nga ato që njihen si erërat e Santa Anës. Shumë banorë kanë braktisur makinat e tyre në rrugë dhe janë arratisur në këmbë prej flakëve.
“Los Anxhelosi aktualisht po përjeton kushte ekstreme të motit me një alarm të kuq të ndezur. Në rrezik janë mbi 25 mijë e 700 familje, mbi 10 mijë e 300 objekte.”, - deklaroi Kristin Kroelej nga Departamenti i Zjarrfikësve.
Autoritetet po paralajmërojnë banorët e Kalifornisë Jugore, që të mos vonojnë evakuimin dhe të mos supozojnë se janë jashtë rrezikut.
“Dua t’i bëj të ditur të gjithë shikuesit dhe dëgjuesit se nuk jemi jashtë rrezikut. Shërbimi Kombëtar i Motit ka parashikuar që erërat do të intensifikohen dhe përkeqësohen.”, - theksoi zjarrfikësi, Antoni Marron.
“Mos mendoni, vetëm sepse jeni jashtë pyllit, nuk jeni në rrezik. E dëgjuat shefin e zjarrfikësve, parashikohen erëra të fort. Fakti që kaq shumë njerëz ende nuk janë evakuuar tregon se ata nuk ia vunë veshin paralajmërimit.", - u shpreh guvernatori i Kalifornisë, Gavin Njusom.
Parashikimi i motit nuk frymëzon optimizëm për t'i dhënë fund zjarreve katastrofike në Kaliforninë e thatë. Parashikohen erëra të forta me shpejtësi 160 kilometra në orë dhe do të fryjnë për ditë të tëra. Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se mund të jetë stuhia më e fortë e Santa Anës në më shumë se një dekadë që goditi qarqet e Los Anxhelosit dhe Venturës. Zjarret po rrezikojnë edhe qytezën e famshme, Malibu, rreth 32 kilometra nga qyteti Los Anxheles.
FARIJE DAUTI BAKIJU
