Diaspora e Kosovës ka nisur votimin për zgjedhjet parlamentare

09.01.2025 12:42

Diaspora e Kosovës ka nisur votimin...

Diaspora e Kosovës ka nisur votimin për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Të drejtën për të votuar me postë apo fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike do të mund ta shfrytëzojnë 84 mijë votuesit e regjistruar brenda afatit, ndërsa procesi i votimit nga diaspora do të zgjasë deri më 8 shkurt, bëjnë të ditur nga KQZ-ja. 

"Të gjithë shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës, për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë ose në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, duhet të ndjekin udhëzimet e KQZ-së për votimin përmes postës. Shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, njoftohen se procesi i votimit do të mbahet më 8 shkurt 2025.", njofton KQZ-ja.

Më 11 janar do të nisë zyrtarisht fushata zgjedhore, por Lëvizja Vetëvendosje, PDK-LDK dhe AAK nuk kanë pritur fushatën për të nisur takimet me qytetarë. Më herët partitë politike, e sidomos Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur disa takime me qytetarët në diasporë. 

Në garë për postin e kryeministrit janë kryeministri aktual, Albin Kurti, si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje; Lumir Abdixhiku si kandidat i LDK-së; Bedri Hamza, kandidat i PDK-së dhe Ramush Haradinaj synon postin e kryeministrit si kandidat i koalicionit AAK-NISMA.

Pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të jetë edhe Lista Serbe, e cila fillimisht nuk u certifikua nga KShZ-ja, por më pas Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e pranoi ankesën e kësaj partie duke i mundësuar asaj pjesëmarrjen në zgjedhje. (Gyltene Sinani, TVM2)