Valon Ahmedi së shpejti vendos për të ardhmen e tij!

09.01.2025 14:48

Valon Ahmedi pasi prishi kontratën me Shkëndijën e Tetovës...

Valon Ahmedi pasi prishi kontratën me Shkëndijën e Tetovës, aktualisht është një lojtar i lirë, mirëpo si duket jo edhe për shumë kohë. Informacionet që ka siguruar “infOSport.mk”, thonë se për fantazistin nga Kërçova interes ka shfaqur Partizani i Tiranës, skuadër kjo që tashmë thuhet se për vete ka bërë edhe sulmuesin shkupjan, Besar Guxhufi.

Mbetet të shihet nëse “Demat” nga Tirana do ishin në gjendje të afronin edhe një tjetër futbollistë cilësor nga Maqedonia, i cili gjithashtu joshet edhe me një ofertë nga një prej skuadrave vendore, ndërsa nuk mungojnë edhe ofertat jashtë Maqedonisë.

Burime pranë “infOSport.mk”, bëjnë me dije se për Ahmedin gjithashtu interes kanë shfaqur edhe skuadra nga Rusia e largët, si dhe Azerbejxhani dhe Kazakistani.

Ahmedi një periudhë bukur të mirë ka luajtur jashtë vendit, edhe atë në Itali, Slloveni, Izrael, Kroaci dhe Bjellorusi.

Ai ka një bagazh mjaft të pasur pas vetes, duke numëruar edhe tre tituj kampion me 3 skuadra të ndryshme, përfshirë këtu edhe Shkëndijën, dy SuperKupa në Bjellorusi me Soligorsk dhe një trofe të Kupës së Sllovenisë me NK Maribor.

Ahmedi kulminacionin gjatë karrierës së tij e arriti në vitin 2017-të, kur arriti të debutojë edhe me fanellën e kombëtares shqiptare.