Memedi: Viruset sezonale rritën numrin e pacientëve

09.01.2025 14:29

Numri i të sëmurëve me grip po rritet...

Numri i të sëmurëve me grip po rritet. Javën e parë pas vitit të ri më shumë se 330 qytetarë janë sëmurë nga gripi ose 47 për qind më shumë në krahasim me periudhën e kaluar, thonë nga IShP-ja.

Sipas tyre, incidenca më e lartë ka qenë tek fëmijët prej 5 deri në 14 vjeç dhe numri më i madh i pacientëve me grip ka qenë në Dibër.

Drejtori i Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve, Rexhep Memedi, thotë se bëhet fjalë për viruse sezonale që paraqiten rregullisht në këtë periudhë të vitit.

“Dominojnë viruset sezonale të cilët janë gjithnjë e më të shpeshtë. Kjo ndodh pothuajse çdo vit, në këtë periudhë të vitit kemi rritje të numrit të pacientëve me simptomatologji respiratore dhe infektime të zorrëve, të cilët trajtohen në klinikën tonë dhe e marrin trajtimin e nevojshëm. Po punojmë me kapacitet të plotë dhe pacientët me gjendje më të rëndë i mbajmë për trajtim spitalor.”, - deklaroi drejtori i Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve – Shkup, Rexhep Memedi.

Taravari premton më shumë termine te specialistët

Ndërkohë ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, premton më tepër termine për kontroll të pacientëve te specialistët. Taravari thotë se në shtet funksionon shëndetësia primare dhe terciale, por që problemi qëndron te shëndetësia sekondare.

“Unë sot kisha takim me institucionin “Termini im”. U morëm vesh që të bëjmë sa më shumë hapësirë për kontroll të pacientëve, sa më shumë termine, sidomos në brendësinë e shtetit, por edhe në shtëpitë e shëndetit. Nuk kam informatë që diku nuk punon rentgen aparati. Nëse ka informatë të tillë, duhet menjëherë të reagohet dhe të ndërmerren masa. Pajtohem që shumica e pacientëve dërgohen në shëndetësinë terciale, që nuk është në rregull.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

Taravari shpreson se kjo çështje të rregullohet me decentralizimin dhe pacientët që mund të trajtohen në mjekësinë primare dhe sekondare të mos e ngarkojnë mjekësinë terciare. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)