Maqedoni

Ajri i ndotur në Shkup, qytetarët ankohen se nuhasin erë djegiesh

09.01.2025 15:08

Shkupi, gjatë sezonit dimëror, është në krye të listës si një ndër vendet me ajrin...

Shkupi, gjatë sezonit dimëror, është në krye të listës si një ndër vendet me ajrin më të ndotur në botë. Sipas matjeve të Bankës Botërore, në Maqedoninë e Veriut mbi 1.000 njerëz vdesin çdo vit si rezultat i ajrit të ndotur nga sëmundjet respiratore dhe ato kancerogjene. 
 
“Ajri i ndotur na pengon, sidomos neve që kemi problem me frymëmarrjen. Ka shumë mjegull. Edhe babën e kam astmatik dhe atij i pengon ky ajër tepër i ndotur. Nuk dal ndryshe, veç se me maskë.”, - tha një qytetar.
 
“Sigurisht që na pengon ajri  ndotur. Unë kam problem me kollën. Kollitem shumë gjatë kësaj periudhe.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Mua më pengon shumë, ekstrem, sidomos me frymëmarrjen që kam problem dhe vërtet nuk e di çfarë zgjidhje t’i bëj vetes, vetëm të shkoj të jetoj nëpër katunde. Nëntë vite kam luajtur basketboll, tre vite kam qenë trajner i basketbollit dhe ajri i ndotur gjatë aktiviteteve sportive shumë më pengon, sidomos  gjeneratat e reja. Ata janë në zhvillim, ju shkakton dëme.”, - u shpreh një qytetar.
 
Vizitorët e Shkupit apo mërgimtarët që kthehen në vendlindje bëjnë krahasime me ajrin në vendet ku jetojnë. Ata sa arrijnë në Shkup, nuhasin erë djegiesh dhe dallojnë ndotjen enorme të ajrit, vetëm nëpërmjet shqisave, pa ndonjë mjet matës.
 
“Ndjehet sikur diçka digjet. Sikur diçkaje i kanë vënë flakën. Mendoj se ndërmarrje të ndryshme nga jashtë vijnë në vendin tonë dhe djegin mbetjet e tyre. Shteti duhet t’i zbulojë dhe të reagojë. Unë jetoj mbi 30 vite jashtë shtetit, në Gjermani dhe Çeki kam jetuar, dhe kështu erë nuk kam ndjerë askund, ajri është i pastër atje. Këtu era e keqe ndjehet sa të zbresësh nga vetura. Unë shtëpinë në Maqedoni e kam në periferi të Shkupit, por ndjehet çdo mbrëmje era e keqe. Dikur isha sportist këtu dhe nuk ishte kështu para shumë vitesh, tash nuk e di çka bëhet dhe çka digjet këtu. Ajri tepër është ndotur.”, - tha një qytetar.
 
“Unë personalisht nuk kam, por pleqtë kanë problem me ajrin e ndotur, sidomos ata që jetojnë këtu. Unë jam nga Velesi dhe atje është më mirë gjendja me ajrin. Sa vij këtu menjëherë e dalloj, vjen një erë djegiesh.”, - tha një qytetar tjetër.
 
Gjatë periudhës së ndotjes së ajrit, Klinika e Pulmologjisë ka qenë e mbushur me pacientë që vuajnë nga sëmundjet e mushkërive, pasi ajri i ndotur u hap rrugën edhe viruseve të tjera. Pulmologët rekomandojë që fëmijët dhe të moshuarit që kanë sëmundje të mushkërive të reduktojnë daljet kur ajri është i ndotur dhe të mbajnë maska. Ata gjithashtu apelojnë edhe për ecje të shpeshta nëpër male.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU