Maqedoni
Pasaporta e RMV-së, e 40-ta në botë, Pa viza mund të udhëtohet në 129 vende
09.01.2025 15:26
Qytetarët e Maqedonisë me pasaportë të kuqe mund të hyjnë pa vizë në 129 shtete të botës...

Qytetarët e Maqedonisë me pasaportë të kuqe mund të hyjnë pa vizë në 129 shtete të botës dhe kjo i siguroi pasaportës sonë vendin e 40-të nga 227 vende sa janë ranguar në listën e vendeve me pasaportë më të fuqishme për vitin 2025, thotë renditja më e re e kompanisë britanike të konsulencës “Henley & Partners”.
Krahasuar me renditjen e vitit të kaluar, pasaporta jonë është ngjitur për tre vende më lartë. Maqedonia e Veriut ndan pozicionin e 40-të me Malin e Zi dhe Ishujt Marshall. Vendet më mirë të pozicionuara në rajon janë Greqia në vendin e 6-të dhe Sllovenia në vendin e 10-të. Pasaporta e Shqipërisë është në vendin e 43-të, ajo e Kosovës në vendin e 63-të.
“Indeksi “Henley & Partners” bazohet në të dhënat zyrtare nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA). Fuqia e dokumenteve të udhëtimit përcaktohet kryesisht nga sa porta kufitare hapen pa vizë. Indeksi i Pasaportave mbulon 227 destinacione udhëtimi dhe përditësohet çdo tremujor.”, - Indeksi “Henley & Partners”.
Pasaportën më të fuqishme në botë e ka Singapori, pasi mundëson udhëtimin pa viza në 195 nga 227 vende dhe territore në mbarë botën. E dyta është pasaporta japoneze me të cilën mund të udhëtohet pa viza në 193 vende, ndërsa në vendin e tretë janë Finlanda, Franca, Gjermania, Italia, Koreja e Jugut dhe Spanja me pasaportën e të cilave mund të udhëtohet në 192 vende. Në fund të listës ndodhen Iraku, qytetarët e të cilit mund të udhëtojnë pa viza në 31 vende, Siria – në 27 dhe Afganistani – në 26 vende.
FITIM KRYEZIU
