Maqedoni
VLEN: Kërkojmë nga BDI-ja të përjashtojë Grubin
09.01.2025 16:04
Koalicioni VLEN fton BDI-në të përjashtojë Artan Grubin nga partia...

Sipas partive shqiptare në pushtet, BDI-ja me largimin e ish-zëvendës kryeministrit do të dëshmojë se nuk mbetet peng i krimit.
“Kërkojmë që BDI-ja të marrë vendim formal për përjashtimin e Artan Grubit nga anëtarësia partiake. Deklaratat e deritanishme të Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit për parimin dhe transparencën kanë mbetur vetëm fjalë boshe. I bëjmë thirrje që të ndërmarrin hapa konkretë që do të dëshmojnë se premtimet dhe angazhimet e tyre janë reale dhe se nuk do të lejojnë asnjë dyshim për veprimtari kriminale që të njollosë reputacionin dhe të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.”, thuhet në komunikatën e koalicionit VLEN.
VMRO-DPMNE: LSDM-ja nuk u distancua nga Grubi
Nga VMRO-DPMNE-ja ngrenë akuzat ndaj LSDM-së për përkrahje të Grubit përgjatë veprimtarisë, siç thonë ata kriminale, pasi edhe me arratisjen e tij, socialdemokratët nuk janë distancuar nga Grubi.
“LSD-ja nëse seriozisht dëshiron të jetë një aktor i shoqërisë, do të duhet të kërkojë falje përse kanë lejuar Grubin dhe gjatë qeverisjes së tyre nuk kanë ngritur procedurë para organeve përgjegjëse. Menjëherë pas kësaj do të duhej të thërriteshin zyrtarë e tyre të cilët kishin lejuar atë. Në fakt për shkak të personave sikurse Grubi dhe shumë të tjerë nga radhët e LSD-së dhe BDI-së, miratuan ndryshimet në kodin penal, duke shpëtuar shumë kriminelë.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Filipçe: Jemi distancuar nga BDI-ja
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në intervistën për gazetën “I pavarur” (“Nezavisen”) është shprehur se distancohen nga BDI-ja, gjegjësisht stigma e korrupsionit që ndër vitesh kanë mbartur integristët. Filipçe madje refuzon bashkëpunim me BDI-në.
MERAL ISMAILI
