Maqedoni
Avokati i popullit: Përfaqësimi i drejtë nuk gjen zbatimin e plotë
09.01.2025 15:45
Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat si një nga vlerat themelore të rendit kushtetues...

Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat si një nga vlerat themelore të rendit kushtetues, akoma nuk e gjen zbatimin e plotë në praktikë, edhe pse ka institucione ku përfaqësimi i shqiptarëve, por edhe komuniteteve të tjera është i kënaqshëm, Megjithatë përfaqësimi i drejtë çalon në shumë institucione relevant shtetërore duke filluar nga Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të jetë roje e Kushtetutës e deri tek presidentja e shtetit, thotë avokati i popullit, Naser Zyberi.
“Ka institucione ku përfaqësimi i shqiptarëve është 0%. Kuptohet që këto institucione nuk kanë numër të madh të të punësuarve, por janë dhjetëra institucione qendrore të cilat nuk kanë punësuar nga komuniteti shqiptar, mos të flasim prej komuniteteve më të vogla. Si shembull tipik unë shpesh herë e përmendi edhe Akademinë maqedonase të shkencave dhe arteve, në të cilën ka 96 të punësuar, flasim për administratën prej të cilëve vetëm 1 është prej komunitetit shqiptar. Ka edhe institucione të tjera, të cilat janë 2,3,6 apo 10% që është shumë larg numrit adekuat të përfaqësimit të komunitetit shqiptar. E tillë është vet Gjykata Kushtetuese, e cila mori vendimin për sublimin e dispozitave të ligjeve që përmenda dhe rregullores për balancuesin. Është vet sekretariati i Qeverisë. Janë institucione të tjera siç është vetë ndërmarrja për shërbime të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë. Janë prokurori të caktuara, gjykata dhe institucione të tjera shtetërore, përfshi madje edhe deri te presidenti i shtetit.”, - deklaroi avokati i popullit, Naser Zyberi.
Zyberi shton se suprimimi i dispozitave ligjore për të punësuarit në administratën shtetërore dhe sektorin publik, përfshin edhe balancuesin ndikojnë negativisht në arritjen e këtij përcaktimi kushtetues për përfaqësim të drejtë të të gjitha komuniteteve.
“Parashtresa në këtë periudhë mbas suprimimit të instrumentit të balancuesit nuk ka në adresë të diskriminimit në baza etnike në konkurset e shpallura. Kjo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të paraqiten, por fatkeqësia është se tani nuk kanë ku të thirren në dispozitë ligjore, e cila mund t’i mbrojë.”, - theksoi avokati i popullit, Naser Zyberi.
Nga raporti i fundit për vitin 2023, Zyberi përmend se përfaqësimi në sektorin publik i qytetarëve me përkatësi kombëtare maqedonase është 71.6%, i shqiptarëve 21.7%, komunitetit turk 2.1, etj.
Kjo sipas tij tregon se populli maqedonas është mbi 13% më shumë i përfaqësuar duke u bazuar me shifrat e regjistrimit, ndërkaq shqiptarët përkundrazi janë me 2.6 më pak se sa që janë të regjistruar në popullsinë rezidente.
Ndërkohë, sa i përket kësaj çështjeje zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, në emisionin debativ “ZOOM” në TVM2, ka komentuar rreth propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Ai ka thënë se ky ligj ndodhet në fazën finale të përpilimit dhe pritet që këto ditë të arrihet dakordësia mes partnerëve të koalicionit qeveritar. Sipas Fetait, pas 22 viteve, shqiptarët do të kenë një ligj i cili do të garantojë barabarësinë e tyre në institucionet shtetërore.
FLORIJE KAMBERI
